Nëpër rrugët e kryeqytetit Shkup është mbajtur edicioni i 20-të jubilar i “Wizz Air Skopje Marathon”, ku kanë marrë pjesë një numër rekord prej 13.400 garuesve nga 55 vende.
Maratona tradicionale e Shkupit organizohet nga Qyteti i Shkupit dhe Misioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, ndërsa mbështetëse është Ministria e Sportit. Në maratonë u vrapua në tri gara, respektivisht gjysmëmaratonë, maratona stafetë dhe gara në 5 mijë metra.
Hillary Chemweno nga Kenia ishte fituesi i maratonës së sivjetme, i cili vrapoi 42 kilometra dhe 195 metra për dy orë, 13 minuta e 28 sekonda, ndërsa vendin e dytë e fitoi po ashtu keniani Daniel Kiprotich, i cili arriti vijën e përfundimit për dy orë, 13 minuta e 53 sekonda.
Në garën maratonë për femra fitoi Irene Jeruto, po ashtu nga Kenia, me kohën dy orë, 37 minuta e 52 sekonda, para maqedonases Adrijana Pop-Arsova, e cila arriti në vijën e përfundimit për dy orë, 39 minuta e 38 sekonda.