Mbi 1,7 milion emigrantë janë strehuar në Meksikë nga viti 2018 / Photo: AA

Instituti Kombëtar i Emigracionit (INM) të Meksikës tha se më shumë se 1,7 milion emigrantë janë strehuar në vend që kur presidenti Andres Manuel Lopez Obrador erdhi në pushtet në vitin 2018.

INM publikoi një raport për të huajt që kanë hyrë si emigrantë në territorin meksikan.

Në raport thuhet se 1.742.365 të huaj janë strehuar në Meksikë gjatë periudhës së presidentit Obrador.

Bëhet e ditur se këtyre personave u janë dhënë dokumente për të qëndruar legalisht në vend dhe se më shumë se 510 mijë prej tyre u është dhënë azil për "shqetësime humanitare".

Raporti thekson se COVID-19 dhe politikat e imigracionit të ShBA-së çuan në një rritje të aplikimeve në Meksikë.

Gjatë pandemisë së COVID-19, qindra mijëra emigrantë u kthyen në territorin meksikan në kuadër të masave të marra kundër emigrantëve nga presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Donald Trump.

Ky presion nga Uashingtoni e bëri Meksikën një vend "pritës" për emigrantët e dëbuar nga ShBA-ja.

AA