Më shumë se 51 milionë amerikanë kanë hedhur votat e parakohshme përpara zgjedhjeve presidenciale të javës së ardhshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Laboratori zgjedhor i Universitetit të Floridës, 51.354.949 njerëz votuan para kohe përmes votimit personal dhe fletëvotimeve me postë. Rreth 26,8 milionë njerëz kanë shkuar në qendrat e votimit për të votuar, ndërsa 24,6 milionë të tjerë kanë votuar përmes postës.
Zgjedhjet e 5 nëntorit janë gjashtë ditë larg dhe sondazhet tregojnë se zv/presidentja Kamala Harris dhe sfiduesi i saj republikan, Donald Trump, janë shumë afër, veçanërisht në shtatë shtetet kritike të fushëbetejës zgjedhore.
Në Michigan, Harris kryeson ndaj Trumpit me 5 për qind, sipas një sondazhi të publikuar të martën nga Qendra e Kërkimeve e Universitetit Susquehanna. Harris ka 51,7 për qind mbështetje, krahasuar me 46.6 për qind për Trumpin.
Harris gjithashtu mban një epërsi të ngushtë prej 1 për qind në Arizona, 48 për qind me 47, por situata është e kundërt në Nevadën fqinje, ku Trump është përpara, sipas të dhënave të sondazhit të CNN.
Shtetet e fushëbetejës zgjedhore janë thelbësore sepse SHBA-ja nuk i zgjedh drejtpërdrejt presidentët e saj. Në vend të kësaj, procesi zhvillohet përmes Kolegjit Zgjedhor ku 538 përfaqësues votojnë në përputhje me rezultatet e shteteve të tyre.
Secili kandidat duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të shpallur fitoren. Zgjedhësit ndahen në shtete bazuar në popullsinë e tyre dhe shumica e shteteve i japin të gjithë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor cilitdo kandidat që fiton shtetin në votimin e përgjithshëm.
Megjithatë, modeli "fituesi i merr të gjitha" nuk ndiqet në Nebraska dhe Maine, të cilat në vend të kësaj i shpërndajnë votat e tyre në mënyrë proporcionale bazuar në rezultatet e tyre.