Qeveria izraelite përgatiti një propozim për fillimin e negociatave të reja me grupin palestinez Hamas për lirimin e pengjeve izraelite në Rripin e Gazës, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e refuzoi ofertën, sipas mediave lokale izraelite.
Televizioni izraelit Channel 13 raportoi se ministrat izraelitë përshkruan kornizën e përgjithshme të një marrëveshjeje ditët e fundit që synonte të siguronte lirimin e pengjeve izraelitë që po mbahen nga Hamasi.
Negociatat pritej të vazhdonin përmes një ndërmjetësi të paidentifikuar, por Netanyahu thuhet se e hodhi poshtë propozimin.
Vendimi për refuzimin e propozimit, siç përcjell Channel 13, u mor pa u koordinuar me ministrat e kabinetit të luftës Benny Gantz dhe Gadi Eisenkot.
Channel 13 raportoi gjithashtu deklarata nga zyrtarë politikë të paidentifikuar që pretendonin se Netanyahu po pengonte përpjekjet drejt një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.
Lidhur me negociatat, zyra e Netanyahut tha se kushti i kërkuar nga Hamasi, të cilin kryeministri izraelit e refuzoi kategorikisht, është fundi i luftës.
Izraeli pretendon se Hamasi po mban 136 izraelitë në Gaza që nga 7 tetori, ndërsa Hamasi kërkon armëpushim në Gaza dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite në paraburgim.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, të paktëm u vranë 24.448 palestinezë, përfshirë 10.300 fëmijë dhe 7.100 gra, si dhe u plagosën 61.154 palestinezë.
Po ashtu, raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja.