Kryeministrja italiane Giorgio Meloni dhe homologu i saj britanik, Keir Starmer, janë zotuar se do të vazhdojnë të punojnë për të arritur fundin e armiqësive në Lindjen e Mesme.
“Ne jemi të bashkuar në mbështetjen tonë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Ne duam të shohim lirimin e të gjitha pengjeve, të rrjedhin në Gaza ndihmat humanitare të nevojshme dëshpërimisht dhe veçanërisht një qetësim të tensioneve në Bregun Perëndimor”, u tha Starmer gazetarëve pas takimit me homologen e tij italiane në Romë.
Kryeministri britanik theksoi se “sigurisht asnjë nga këto nuk është e lehtë, por është urgjente dhe jetike”.
Kryeministrja Meloni përkrahi komentet e homologut të saj, duke theksuar se qeveria italiane është e përkushtuar të vazhdojë punën për të arritur krijimin e një shteti palestinez që mund t’i japë fund konfliktit historik midis Izraelit dhe palestinezëve.
“Ne ramë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të bazuar në ndërmjetësimin e udhëhequr nga ShBA-ja dhe Katari, që sheh armëpushimin e menjëhershëm në Gaza, si dhe lirimin e të gjitha pengjeve të zënë rob më 7 tetor nuk mund të shtyhet më”, tha Meloni.
“Italia u bën thirrje të gjitha palëve të përfshirë dhe ajo është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të mbështetur përpjekjet për të shmangur një përshkallëzim në rajon, duke filluar nga Libani. Sot, më shumë se kurrë nevojitet një zgjidhje afatgjate e krizës, duke i dhënë një shtysë të përtërirë zgjidhjes me dy shtete”, shtoi ajo.
Që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit tetorin e kaluar, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 41 mijë palestinezë. Rreth 101 pengje besohet se janë ende në enklavën e bllokuar dhe përpjekjet për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, por pa rezultat.
Kryeministrja italiane dhe ai britanik në takimin në Romë folën edhe për sfidën që paraqet migrimi i parregullt dhe si të dy vendet bashkëpunojnë për këtë çështje.
Starmer, i cili në vizitën e tij në Itali u shoqërua nga komandanti i sapoemëruar i sigurisë kufitare në Mbretërinë e Bashkuar, tha se të dy vendet shkëmbyen inteligjencën dhe taktikat, si dhe diskutuan mënyrat për të bashkëpunuar për të mbyllur rrugët e kontrabandës së emigrantëve dhe për të shkatërruar bandat kriminale që trafikojnë emigrantë në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Starmer dhe Meloni diskutuan edhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Sipas kryeministrit britanik, takimi çoi që Mbretëria e Bashkuar të sigurojë një total prej 500 milionë funta (660 milionë dollarë) investime të reja nga Italia.
Ai shtoi se kompania italiane e mbrojtjes ‘Leonardo’ do të investojë 400 milionë funta në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e helikopterëve, ndërsa kompania e çelikut ‘Marcegaglia’ do të investojë 100 milionë funta në prodhimin e çelikut të gjelbër në Mbretërinë e Bashkuar.