Musk: Qeveria amerikane kishte "qasje të plotë" në të dhënat në Twitter / Foto: AA

Shefi ekzekutiv i Twitterit, Elon Musk, ka pohuar se qeveria amerikane kishte "qasje të plotë" në të dhënat e përdoruesve të platformës së medias sociale, duke përfshirë edhe mesazhet e drejtpërdrejta private.

Në një intervistë me prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Musk tha se ishte i tronditur kur mësoi për mundësinë që qeveria t'i lexojë mesazhet e drejtpërdrejta të përdoruesve në platformën e tij.

"Shkalla në të cilën agjencitë qeveritare kishin në mënyrë efektive qasje të plotë në gjithçka që po ndodhte në Twitter, më çmendi. Unë nuk kam qenë në dijeni për këtë”, tha ai.

Kur u pyet nga Carlson nëse qasja e plotë përfshinte mesazhet e drejtpërdrejta private të njerëzve, Musk u përgjigj "Po".

Musk bleu Twitterin tetorin e kaluar në marrëveshjen prej 44 miliardë dollarësh, pas disa muajsh negociata.

Me marrjen e pronësisë, Musk bëri ndryshime të mëdha në Twitter, duke kërkuar ta shndërrojë atë në një kompani fitimprurëse. Ai bëri pushime masive nga puna, si dhe ndryshoi politikat e Twitterit, duke përfshirë vendosjen e pagesës për llogaritë e verifikuara.

AA