Ekipi ligjor i presidentit Joe Biden ka zbuluar dokumente shtesë që përmbajnë shenja klasifikimi, ka thënë një person i njohur me këtë çështje për Associated Press.
Personi nuk tha se kur dhe ku u gjet materiali ose nuk dha detaje specifike për nivelin e klasifikimit të dokumenteve.
Zbulimi i së mërkurës vjen disa ditë pasi një avokat i presidentit tha se avokatët e Bidenit kishin zbuluar "një numër të vogël" dokumentesh të klasifikuara në hapësirën e tij të mëparshme të zyrës në Uashington.
Avokatët e Biden-it i gjetën ato në një dollap të mbyllur teksa po përgatiteshin të lironin hapësirën e zyrës dhe t’ia dorëzonin Administratës Kombëtare të Arkivave dhe Regjistrimeve. Ato përfshinin 10 dokumente që përmbajnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese të datuara midis viteve 2013 dhe 2016 në lidhje me Ukrainën, Iranin dhe Britaninë e Madhe, tha një burim për CNN të martën.
Në fillim të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë po shqyrtonte "një numër të vogël dokumentesh me shenja të klasifikuara" të gjetura në zyrë.
Biden mbajti një zyrë atje pasi u largua nga zëvendëspresidenti në 2017 deri pak para se të niste fushatën e tij presidenciale demokratike në 2019.
Njoftimi se dokumente shtesë të klasifikuara u zbuluan nga avokatët e Bidenit erdhi disa orë pasi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre shmangu pyetjet në lidhje me trajtimin e informacionit të klasifikuar nga Biden dhe menaxhimin e zbulimit nga krahu perëndimor.
Ajo tha se Shtëpia e Bardhë ishte e angazhuar për ta trajtuar çështjen në "mënyrën e duhur", duke treguar njoftimin e menjëhershëm të avokatëve personalë të Biden për Arkivin Kombëtar.
Por, ajo refuzoi të thoshte se kur vetë Biden ishte informuar, nëse kishte ndonjë dokument tjetër të klasifikuar që mund të ndodhej në vende të tjera të paautorizuara dhe pse Shtëpia e Bardhë priti më shumë se dy muaj për të nxjerrë në shesh zbulimin e grupit fillestar të dokumenteve, të cilat u gjetën më 2 nëntor, ditë para zgjedhjeve afatmesme.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë refuzuan të komentojnë të mërkurën.