Qyteti i Nju Jorkut është në mes të një "ngjarjeje të paprecedentë" pasi tymi nga zjarret e furishme në Kanada mbështjell qytetin më të madh të ShBA-së, paralajmëroi të mërkurën kryebashkiaku Eric Adams.
Adams u kërkoi njujorkezëve të "marrin masa paraprake" ndërsa vazhdojnë jetën e tyre të përditshme pasi indeksi i cilësisë së ajrit arriti në 218 të martën mbrëma përpara se të bjerë pak në 174 në Bronx të mërkurën në mëngjes.
Të pesë bashkitë e qytetit janë nën këshilla për cilësinë e ajrit dhe qyteti u bën thirrje të gjithë banorëve të kufizojnë ekspozimin e tyre ndaj hapësirave të jashtme dhe njerëzit e prekshëm të qëndrojnë brenda.
"Kjo nuk është dita për t'u stërvitur për maratonë ose për të bërë një ngjarje jashtë me fëmijët tuaj. Qëndroni brenda, mbyllni dritaret e dyert dhe përdorni pastrues ajri nëse keni”, tha Adams.
"Nëse jeni më i vjetër ose keni probleme me zemrën a frymëmarrjen ose jeni një i rritur i moshuar, duhet të qëndroni brenda. Dhe nëse duhet të dilni jashtë, vini maska të cilësisë së lartë, siç është K-95."
Shkollat mbeten të hapura, por të gjitha aktivitetet në natyrë janë anuluar.
Imazhet e kapura nga videografët dhe fotografët e Anadolu tregojnë qytetin e mbuluar nga një mjegull portokalli, me monumente kryesore tipike të spikatura si Empire State Building mezi të dukshme. Horizonti ikonë i qytetit mezi mund të dallohet mes kushteve të zymta.
Kanadaja është duke luftuar me zjarret që nga fillimi i majit, me më shumë se 400 zjarre aktive, Mbi gjysma e zjarreve janë jashtë kontrollit, gjersa ShBA-ja po dërgon mbështetje shtesë për të shuar flakët, duke përfshirë më shumë se 600 zjarrfikës dhe avionë uji.
Rreth 9,4 milionë hektarë tokë janë djegur dhe më shumë se 20.000 njerëz janë evakuuar.