Osmani: Me administratën Trump, synojmë thellimin e bashkëpunimit /Foto: Vjosa Osmani - FB / Photo: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së, Brian Mast, ku kanë diskutuar për aleancën e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri.

“Me administratën e presidentit Trump, synojmë thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, investimet strategjike dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tonë”, ka shkruar Osmani.

Gjatë vizitës në Uashington Osmani këtë pasdite njoftoi se ka takuar edhe kongresistin Keith Self, Kryesues i Nënkomitetit për Evropën i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve me të cilin ka diskutuar për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në ShBA, ka theksuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO në një takim në Departamentin e Shtetit. Ndërsa, në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pak ditë më parë ajo foli për rolin e Kosovës në “kundërshtimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit”.

TRT Balkan / agjencitë