Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku, tha se është “i zemëruar" dhe ndien "neveri" nga djegia e Kuranit para një xhamie në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm.
Në një intervistë për gazetën "Al-Ittihad" me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), pas një pyetjeje Papa Françesku foli për provokimin e kryer, lidhur me djegien e Kuranit në Suedi.
"Zemërohem. Kam neveri nga veprime të tilla", tha Papa duke shtuar se duhet të tregohet respekt ndaj njerëzve dhe çdo libri që konsiderohet i shenjtë.
"Liria e shprehjes nuk mund të përdoret kategorikisht për të ulur të tjerët. Është e papranueshme që kjo të lejohet. Ky është një veprim që do të dënohet", deklaroi Papa.
Ai tha se misionet e tyre janë që ta shndërrojnë fenë në ndjenjë, bashkëpunim, vëllazëri dhe vepra konkrete. "Sot kemi nevojë jo për ato që prodhojnë armë, por për ata që sigurojnë paqe. Kemi nevojë për njerëz paqësorë dhe jo për ata që nxisin konflikte. Kemi nevojë për zjarrfikës dhe jo zjarrvënës. Ose qytetërim vëllazëror, ose armiqësi të prapambetur. Ose e ndërtojmë të ardhmen së bashku ose nuk ka të ardhme", tha Papa.
Sipas tij, e ardhmja e bashkëpunimit ndërfetar bazohet në parimin e reciprocitetit, respektit për të tjerët dhe së vërtetës.
Kreu i Vatikanit tha se konferenca e 27-të e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP27) e mbajtur në Egjipt vitin e kaluar dhe COP28 që do të mbahet këtë vit në EBA janë të rëndësishme për të përmbushur ato që kërkon kriza mjedisore dhe në aspektin për të njoftuar zërin e thirrjes urgjente. Papa tha se inkurajon përpjekjet e EBA-së në këtë çështje dhe uron të jetë e suksesshme në mënyrën që të jetë në dobi të planetit.
"Rruga e vetme efektive për t'u përballur me këtë krizë është të gjenden zgjidhje reale ndaj problemeve të vërteta të krizës ekologjike. Duhet t'i shndërrojmë deklaratat në veprim para se të jetë shumë vonë", tha Papa.
Salwan Momika me origjinë irakiane, më 28 qershor dogji Kuranin nën mbrojtjen e policisë para një xhamie në Stokholm.