Fushata sekrete kundër vaksinave e zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të diskredituar Kinën dëshmon se Uashingtoni qëndron pas përhapjes së informacioneve të rremë, njoftoi të hënën Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.
“Faktet kanë vërtetuar në mënyrë të përsëritur se ShBA-ja ka manipuluar vazhdimisht mediat sociale për të përhapur informacion të rremë, për të helmuar perceptimin publik dhe për të dëmtuar imazhin e vendeve të tjera”, tha Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë.
Vërejtjet vijnë si përgjigje ndaj hulumtimit që pretendon se ShBA-ja, në kulmin e pandemisë COVID-19, nisi një fushatë për të kundërshtuar atë që e sheh si ndikim në rritje të Kinës në Filipine.
Postimet e mediave sociale thuhet se kanë dënuar cilësinë e maskave mbrojtëse për fytyrën, kompleteve të testimit dhe vaksinave të para që do të viheshin në dispozicion në Filipine - të bëra nga prodhuesi kinez Sinovac.
“Fushata kundër vaksinës së Kinës ekspozon qëllimin e vërtetë të ShBA-së për të nisur sulme dezinformuese kundër vendeve të tjera”, tha ministria.
Shtohet se një tendencë e ngjashme është e dukshme ndër të tjera edhe në përçmimin e nismës popullore “Rrip dhe rrugë”.
“Kjo vetëm sa ekspozon hipokrizinë dhe aspiratat hegjemoniste të ShBA-së, jo ‘fuqinë e madhe’ të saj”, thuhet në deklaratë.
Departamenti i Shëndetësisë i Filipineve tha të dielën se është e nevojshme të shqyrtohen detajet e raportit.