Më shumë se 26 mijë emigrantë janë kapur përgjatë kufirit ShBA-Meksikë në tri ditët e fundit, tha një zyrtar të hënën, pasi Shtetet e Bashkuara përballen me një rritje të emigracionit.
Në 72 orët e fundit, 26.382 persona janë arrestuar, ndërsa 7.399 janë arratisur nga policia, tha shefi i Patrullës Kufitare të ShBA-së, Raul Ortiz Ruiz.
Në kufi u kapën edhe qindra kilogramë drogë, kryesisht marihuanë.
Pasi kufizimet e rrepta të COVID-19 në kufirin me Meksikën u hoqën këtë javë, njësitë janë vendosur në pikat e nxehta përgjatë kufirit për të kapur dhe larguar migrantët që përpiqen të hyjnë ilegalisht në shtetin amerikan të Teksasit.
Përveç dërgimit të rreth 1500 trupave në kufirin ShBA-Meksikë për tre muaj për të forcuar kapacitetin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken njoftoi në prill se ShBA-ja po krijon qendra të procesuimit të emigrantëve në Kolumbi dhe Guatemalë për të ndihmuar në parandalimin e valës.
Vendet pritet të procesuojnë disa mijëra emigrantë çdo muaj dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë me vende të tjera për të krijuar vende shtesë.
Sipas ligjit amerikan, çdo migrant mund të kërkojë azil në ShBA, pavarësisht nëse hyn legalisht ose jo në vend.