Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Evropës (Eurostat), 63.105 persona kanë kryer aplikim për mbrojtje ndërkombëtare në muajin maj 2022.     Foto: AA

Aplikimet për azil të kryera për herë të parë në vendet e Bashkimit Evropian u rritën në muajin maj me 89 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Evropës (Eurostat), 63.105 persona kanë kryer aplikim për mbrojtje ndërkombëtare në muajin maj 2022 në ndonjë vend të BE-së.

Kjo shifër nënkupton rritje me 89 për qind në krahasim me periudhën maj 2021 dhe 17 për qind në krahasim me prillin 2022.

Ndërkohë, me 13 për qind është shënuar rritje e atyre që kanë kryer aplikim për azil për herë të dytë në muajin maj 2022, si dhe rritje me 20 për qind krahasuar me majin e vitit të kaluar.

Rritja më e madhe në bazë mujore mes atyre që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në BE është shënuar mes shtetasve nga Venezuela. Numri i venezuelasve në një muaj u rrit me 32 për qind dhe arriti në 4.800 në muajin maj.

Ndërsa më shumë aplikime janë bërë nga sirianët, ku gjithsej 8.025 sirianë kanë kërkuar të drejtën e azilit në një vend të BE-së në maj 2022.

Sirianët janë ndjekur nga afganët me 7.700 persona. Ndërkohë venezuelasit në vendin e tretë janë pasuar nga të ardhurit në BE nga Kolumbia me 3.535 persona dhe nga Pakistani me 2.890 persona.

Me 13.855 kërkesa, Gjermania është renditur vendi i BE-së me më shumë aplikime të kryera. Pas Gjermanisë vijon Spanja me 10.200 kërkesa, Franca me 9.800 dhe Italia me 6.450.

Numri i aplikimeve për azil të kryera në vendet e BE-së nga Ukraina që është sulmuar nga Rusia, u regjistruan të jetë 2.370 në shkurt, 12.885 në mars, 1.510 në prill dhe 1.295 në maj.

AA