Politikat e Trumpit mund ta tkurrin ekonominë e MB-së me 1 për qind      Foto: AA

Politikat tregtare të presidentit të rizgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, mund të godasin ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar, me ekonomistët që vlerësojnë një tkurrje prej pothuajse 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto nëse do të ketë vendosje tarifash të ashpra.

Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi (CEBR) parashikoi se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar mund të përballet me pasoja të konsiderueshme nëse ShBA-ja miraton një qëndrim proteksionist nën udhëheqjen e Trumpit.

Analiza e konsulencës ekonomike me qendër në Londër sugjeron se një tarifë prej 20 për qind ndaj të gjitha importeve të ShBA-së, e kombinuar me një tarifë prej 60 për qind ndaj mallrave kineze, do të krijonte një valë globale, duke e lënë të prekur veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar.

Tensionet tregtare mund të godasin fushën e energjisë dhe ushqimit

CEBR-ja gjithashtu paralajmëron se tregu global i energjisë mund të bëhet më i paqëndrueshëm.

Lëvizjet hakmarrëse ndaj tarifave të ShBA-së mund të rrisin çmimet e energjisë, duke çuar në kosto më të larta për bizneset dhe familjet në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, theksoi CEBR-ja, diferencimi i çmimeve midis naftës së papërpunuar Brent dhe naftës së papërpunuar WTI u rrit me 118 për qind, e nxitur nga rezistenca ndaj eksporteve të energjisë amerikane.

Derisa dinamikat aktuale mund të zbusin rritjen e çmimeve, të tilla si Kina që siguron energji më të lirë nga Rusia dhe shkurtimet e prodhimit të OPEC-ut, pasiguria vazhdon të mbetet.

Një nga zgjidhjet më të thjeshta për të shmangur tarifat e reja do të ishte që Mbretëria e Bashkuar të sigurojë një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me ShBA-në. Megjithatë, CEBR-ja si një pengesë kryesore theksoi sfidat e vazhdueshme, veçanërisht rreth standardeve të ushqimit.

ShBA-ja ka nxitur që Mbretëria e Bashkuar të miratojë standardet amerikane, të cilat ndryshojnë ndjeshëm nga ato të mbështetura në Bashkimin Evropian (BE).

Presioni i ShBA-së mbi zgjedhjet ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar

Së fundmi, një këshilltar i lartë i Trumpit theksoi këto tensione, duke sugjeruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të vendosë midis përafrimit me kornizën rregullatore të BE-së ose përqafimit të modelit ekonomik të ShBA.

Ata lanë të kuptohet se administrata e ardhshme e Trumpit mund të jetë më e gatshme për të finalizuar një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë nëse Mbretëria e Bashkuar distancohet nga ajo që këshilltari e përshkroi si "socializëm i BE-së".

CEBR-ja vuri theksin se rikthimi i Trump-it në pushtet do të ri-formësojë tregtinë globale, energjinë dhe politikat mjedisore, me pasoja për partnerët ndërkombëtarë si Mbretëria e Bashkuar.

Analistët paralajmërojnë se pozicioni i Britanisë si një aleat i ngushtë i BE-së dhe ShBA-së e vendos atë në kurth mes dy strategjive ekonomike të kundërta.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ende nuk ka komentuar se si planifikon të lundrojë në këto sfida të mundshme, por bizneset po përgatiten për pasiguri të përtërirë në tregjet e tregtisë dhe energjisë.

Ky paralajmërim i fundit shton shqetësimet në rritje mbi implikimet globale të rizgjedhjes së Trumpit dhe ndikimin e tij në strategjinë ekonomike britanike pas Brexitit.

AA