Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i kërkoi falje kombit të shtunën për përpjekjen e tij të dështuar për të zbatuar ligjin ushtarak, disa orë përpara një votimi për shkarkim.
“Kërkoj sinqerisht falje për shkaktimin e ankthit dhe shqetësimit te njerëzit”, tha Yoon në një fjalim televiziv, duke iu referuar dekretit që u lëshua të martën vonë.
Yoon tha se nuk do të ketë një përpjekje të tillë për të rivendosur ligjin ushtarak.
Për stabilitetin politik në vend, Yoon tha se “ia lë vendimin” Partisë së Fuqisë Popullore (PPP) në pushtet që të vendosë për qeverisjen e tij dhe kohën e tij të mbetur në detyrë, e cila përfundon në vitin 2027.
Yoon, i cili gjithashtu po përballet me akuza për tradhti, theksoi se nuk do t’i shmanget përgjegjësisë ligjore dhe politike.
Yoon vendosi gjendjen ushtarake në orën 22:25 të martën, por njoftoi shfuqizimin e saj brenda gjashtë orëve, në orën 4:27 të mëngjesit të së mërkurës.
Masa u refuzua pasi ligjvënësit nxituan në parlament dhe votuan kundër dekretit të tij.
Gjashtë parti opozitare kanë paraqitur një mocion shkarkimi kundër Yoonit, i cili është planifikuar të votohet rreth orës 17:00 me kohën lokale sot.
Lëvizja e bllokut opozitar varet, megjithatë, nga mbështetja e PPP-së.
Për një mocion të suksesshëm të shkarkimit, bllokut të opozitës i duhet mbështetja e të paktën tetë ligjvënësve të tjerë nga PPP-ja për të arritur pragun minimal prej 200 votash në parlamentin me 300 vende.
E marta ishte hera e 17-të që nga viti 1948 që Koreja e Jugut vendosi gjendjen ushtarake.
"Kjo është një situatë ku presidenti nuk mund të kryejë detyrat e tij normalisht”, tha kryetari i PPP-së Han Dong-hoon pas fjalimit të Yoonit.
Ai shtoi se dorëheqja e presidentit është “e pashmangshme”.