Protesta të dhunshme në Brazil, qindra të arrestuar. / Foto: AA

Autoritetet braziliane kanë filluar të hetojnë sulmin ndaj institucioneve demokratike në kryeqytet në një përpjekje të dështuar nga mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro për të rrëzuar qeverinë njëjavore të presidentit Luiz Inacio Lula da Silva.
Lula është zotuar se do të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e trazirave.
Dhjetëra mijëra demonstrues antidemokratikë të dielën pushtuan Gjykatën e Lartë, Kongresin dhe pallatin presidencial dhe thyen xhamat, përmbysën mobiljet, shkatërruan vepra arti e vodhën Kushtetutën origjinale të vendit të vitit 1988. Armët u sekuestruan edhe nga një zyrë e sigurisë presidenciale.
Gjykata e Lartë e vendit pezulloi guvernatorin e Brasilias nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë në kryeqytet.
Lula, i cili mori detyrën më 1 janar, tha se forcat policore të militarizuara lokale që i raportojnë guvernatorit të Brasilia, Ibaneis Rocha, një ish-aleat i Bolsonaros, nuk bëri asgjë për të ndaluar përparimin e protestuesve.
“Të gjithë njerëzit që e bënë këtë do të gjenden dhe do të ndëshkohen,” u tha Lula gazetarëve nga shteti Sao Paulo.
Sulmi ngriti pikëpyetje mes aleatëve të Lulës se si forcat e sigurisë publike në kryeqytet ishin kaq të papërgatitura dhe lehtësisht të mposhtur nga rebelët që kishin shpallur planet e tyre ditë më parë në mediat sociale.
Qindra protestues të arrestuar
Policia rimori ndërtesat publike të dëmtuara në kryeqytetin ikonik futurist pas tri orësh dhe shpërndau turmën me gaz lotsjellës.
Ministri i Drejtësisë Flavio Dino tha se 200 demonstrues ishin arrestuar, por guvernatori Rocha tha se numri ishte 400.
Dino tha se hetimet do të synojnë të zbulojnë se kush financoi disa qindra autobusë që sollën mbështetësit e Bolsonaro në Brasilia dhe gjithashtu të hetojnë Rocha për mospërgatitjen e sigurisë.
Plani përfshinte kampingun përpara selisë së komandës së ushtrisë, ku grupet e grusht-puçistëve kishin kampuar që kur Lula fitoi ngushtë zgjedhjet në tetor.
Kalimi i kufirit
Lula fajësoi Bolsonaron për ndezjen e mbështetësve të tij pas një fushate me akuza të pabaza për mashtrime zgjedhore pas përfundimit të sundimit të tij të shënuar nga populizmi nacionalist përçarës.
Nga Florida, ku ai fluturoi 48 orë para përfundimit të mandatit të tij, Bolsonaro hodhi poshtë akuzën, duke postuar në Twitter se demonstratat paqësore ishin demokratike, por pushtimi i ndërtesave qeveritare “kaloi kufirin”.
Bolsonaro përballet me rreziqe ligjore nga disa hetime para Gjykatës së Lartë në Brazil dhe e ardhmja e tij në Shtetet e Bashkuara, ku ai udhëtoi me një vizë të lëshuar vetëm për presidentët në detyrë, është në pikëpyetje.
“Bolsonaro nuk duhet të jetë në Florida,” tha kongresmeni demokrat Joaquin Castro në CNN.
“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë një strehë për këtë autoritar që ka frymëzuar terrorizmin e brendshëm në Brazil. Ai duhet të kthehet në Brazil.”

TRT Balkan / agjencitë