Pse fitorja e Trumpit mund të ndikojë pozitivisht në tregjet financiare? / Foto: TRT Balkan

Pas shpalljes së fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregjet financiare kanë reaguar me një rritje të dukshme, ku Bitcoin dhe aksionet po fluturojnë, duke regjistruar nivele të larta të performancës. Tregjet, përfshirë ato të aksioneve dhe kriptomonedhave, po printojnë "kandila të gjelbër" një pas një. Por, çfarë është ajo që e ka bërë fitoren e Trumpit të perceptohet si një mundësi pozitive për ekonominë dhe tregjet financiare?

Stabiliteti është çelësi për tregjet financiare

Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë rritje është përmbyllja e shpejtë e procesit zgjedhor. Tregjet financiare, si rregull, e kërkojnë stabilitetin për të operuar në një mjedis të sigurt dhe të parashikueshëm. Para zgjedhjeve, kishte shumë spekulime rreth mundësisë që rezultati të ishte i ngushtë dhe potencialisht të kontestohej në disa shtete kyçe. Megjithatë, fituesi u shpall shpejt, duke eliminuar paqartësitë dhe jostabilitetin që mund të kishin ndikuar negativisht në tregje. Ky zhvillim ka krijuar një mjedis më të sigurt për investitorët, të cilët kërkojnë të minimizojnë rreziqet, veçanërisht në periudha të pasigurta politike.

Politikat e Trumpit

Një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e tregjeve pas fitores së Trumpit janë politikat ekonomike që ai ka premtuar gjatë fushatës dhe që tani janë në fokus. Disa nga këto politika përfshijnë:

1. Uljen e taksave për individët dhe korporatat: Trump ka premtuar ulje të taksave për individët dhe bizneset, duke e parë këtë si një mënyrë për të nxitur konsumimin dhe investimet, si dhe për të stimuluar rritjen ekonomike. Ulja e taksave do të mundësojë që më shumë para të qarkullojnë në ekonomi dhe të përmirësohet fuqia blerëse e konsumatorëve, gjë që është pozitive për tregjet financiare.

2. Përkrahja për uljen e rregullatorëve: Një nga premtimet e tjera të Trumpit ka qenë ulja e rregullatorëve në industri të ndryshme, përfshirë energjinë dhe financat. Ulja e barrierave dhe rregullave për bizneset do të mundësojë një mjedis më të favorshëm për rritjen e ndërmarrjeve, si dhe përshpejton zhvillimin e disa sektorëve të ekonomisë.

3. Përkrahja për kriptovalutat: Trump ka shprehur një qëndrim të hapur për kriptovalutat, përfshirë Bitcoin, duke deklaruar se, nëse ky është kursi i së ardhmes, ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara të jenë liderë në këtë fushë. Ky qëndrim është mirëpritur nga investitorët dhe zhvilluesit e kriptovalutave.

4. Mbështetje për punësimin: Ka prani të mendimit se politikat e Trumpit, përfshirë ato të kufizimit të emigracionit, do të çojnë në krijimin e vendeve të punës për qytetarët amerikanë dhe mund të sjellin një rritje të pagave.

Roli i Elon Muskut

Një tjetër faktor i rëndësishëm që ka ndihmuar në rritjen e tregjeve është përfshirja e Elon Musk, i njohur për inovacionet e tij dhe përfshirjen në kriptovaluta, i cili ishte një prej figurave qendrore të fushatës së Trumpit.

Për shembull, aksionet e Tesla-s, kompani që Musk drejton, u rritën për 50% në një periudhë prej 7 ditësh pas zgjedhjeve, një rritje e jashtëzakonshme që tregon se investitorët po shohin mundësi pozitive në bizneset që Musk drejton. Po ashtu, Dogecoin, një kriptovalutë që identifikohet me Musk, u dyfishua në vlerë brenda dy ditësh pas fitores së Trumpit. Ky zhvillim është një tregues i ndikimit që Musk ka në tregjet financiare.

Sfidat dhe shqetësimet përpara Trumpit

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shumë tregues të ekonomisë amerikane mbeten shqetësues, pavarësisht optimizmit momental të tregjeve. Borxhi i lartë publik, që ka arritur nivele rekord, dhe rreziku i mundshëm i një recesioni në të ardhmen janë çështje që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin ekonomik të Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, politikat ekonomike të Trumpit mund të përballen me pengesa dhe sfida të tjera gjatë mandatit të tij të ardhshëm.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të shihet se si Trump do të përballet me këto sfida gjatë katër viteve të mandatit të tij dhe nëse mund të ruajë stabilitetin ekonomik të kërkuar nga tregjet financiare.

TRT Balkan