Qeveria e Gjerogjisë do të tërheqë projektligjin për agjentët e huaj.     /Foto: AA

Partia në pushtet e Gjeorgjisë, Ëndrra Gjeorgjiane, njoftoi sot (9 mars), se do të tërheqë projektligjin e saj për agjentët e huaj mes protestave masive në kryeqytetin Tbilisi.

“Ne shohim se projektligji i miratuar ka shkaktuar dallime të mendimeve në shoqëri. Makina e gënjeshtrave ishte në gjendje ta paraqiste projektligjin në një dritë negative dhe të mashtronte një pjesë të caktuar të publikut”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Ëndrra Gjeorgjiane, Pushteti Popullor dhe anëtarët e shumicës parlamentare.

Në deklaratë thuhej se projektligji i atribuohej një etiketimi të rremë të "ligjit rus" dhe se miratimi i tij në leximin e parë u paraqit "si një largim nga kursi evropian në sytë e një pjese të publikut".

Deklarata pretendonte se "forcat radikale" ishin gjithashtu në gjendje të përfshinin disa nga të rinjtë e vendit në aktivitete të paligjshme.

“Ne duhet të jemi më të kujdesshëm për paqen, qetësinë dhe zhvillimin ekonomik në vendin tonë, si dhe përparimin e Gjeorgjisë në rrugën e integrimit evropian. Ndaj, është e nevojshme të harxhojmë energjinë e secilit bashkëqytetar jo për përballje, por për zhvillimin e vendit në drejtimin e duhur”, thuhet më tej në komunikatë.

Miratimi i një projektligji për "Transparencën e Ndikimit të Huaj" çoi në demonstratat në kryeqytetin e Gjeorgjisë që nga 6 marsi, të cilat çuan në arrestimin e 66 personave dhe plagosjen e më shumë se 50 oficerëve të zbatimit të ligjit.

TRT Balkan / agjencitë