Qeveria izraelite mori vendim për të vazhduar sulmin në Rafah        / Foto: AA

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se qeveria izraelite në mbledhjen e sotme vendosi unanimisht të vazhdojë sulmin në Rafah, një qytet në jug të Rripit të Gazës ku strehohen rreth 1,5 milion palestinezë të zhvendosur.

Njoftimi erdhi pavarësisht se lideri i Hamasit Ismail Haniyeh tha sot se lëvizja palestineze pranon një armëpushim dhe propozimin e shkëmbimit të të burgosurve të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti.

“Vazhdimi i sulmit ka për qëllim lirimin e të burgosurve izraelitë dhe arritjen e objektivave të luftës”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.

Dëshmitarët okularë raportojnë se forcat ajrore dhe artilerie izraelite kanë nisur sulme të rënda në pjesët lindore të Rafahut dhe po forcojnë praninë ushtarake në kufi.

Lidhur me propozimin e armëpushimit në Gaza të pranuar nga Hamasi, zyra e Netanyahut tha se ishte larg kërkesës së Izraelit, por se ishin të gatshëm të dërgonin një delegacion në Kajro për të negociuar shkëmbimin e të burgosurve.

Shefi i Byrosë Politike të lëvizjes Hamas, Ismail Haniyeh, ka njoftuar sot se ka njoftuar zyrtarët e Katarit dhe Egjiptit se ka pranuar propozimet në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Njoftimi erdhi pasi forcat izraelite lëshuan urdhra këtë mëngjes për të evakuuar palestinezët në lagjet lindore të qytetit të Rafah, një veprim i parë gjerësisht si një prelud për fillimin e një sulmi të zgjatur tokësor izraelit në qytet.

TRT Balkan / agjencitë