Raport: Energjia diellore tejkalon qymyrin për herë të parë në Evropë.           Foto: AA

Energjia diellore ka gjeneruar 11 për qind të energjisë elektrike në gjithë BE-në në vitin 2024, duke kapërcyer qymyrin për herë të parë, zbuloi një raport i sapobotuar.

BE-ja bëri përparim të rëndësishëm në përzierjen e saj të energjisë elektrike pasi Evropa prodhoi më shumë energji elektrike nga dielli sesa qymyri në vitin 2024, treguan të dhënat e “Rishikimit të Energjisë Elektrike në Evropë 2025” nga Ember, organizatë që merret me studime mbi energjinë dhe promovon tranzicionin në energjinë e pastër.

Përqindja e energjisë diellore në energjinë elektrike të BE-së u regjistrua më e lartë se qymyri, i cili qëndron vetëm në 10 për qind, ndërsa energjia nga gazi fosil në BE gjithashtu ka rënë për të pestin vit radhazi.

Studimi, i cili është raporti i nëntë vjetor mbi sektorin e energjisë të BE-së i publikuar nga grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se 69 miliardë euro janë shmangur nga kostot e importit të karburanteve fosile për shkak të energjisë së re të erës dhe asaj diellore që nga viti 2019.

Raporti vuri në dukje se tranzicioni i sektorit të energjisë elektrike të BE-së mbajti vrull në vitin 2024, pavarësisht kushteve sfiduese politike dhe ekonomike.

“Një vit tjetër rënieje të qymyrit dhe gazit”, tha raporti, duke përmendur se kjo gjë ka ulur emetimet e sektorit të energjisë në BE nën gjysmën e pikut të tyre në vitin 2007 dhe ka reduktuar më tej varësinë nga karburantet fosile të importuara.

“Progres i rëndësishëm është bërë gjatë ciklit të fundit politik të BE-së, por ofrimi (i energjisë së pastër) duhet të përshpejtohet”, kanë theksuar studiuesit.

Ndërkohë, e nxitur nga zgjerimi i energjisë së erës dhe diellit, energjia e rinovueshme është rritur nga një pjesë prej 34 për qind në vitin 2019 në 47 për qind në 2024, pasi pjesa e fosileve ka rënë nga 39 për qind në nivelin më të ulët historik, 29 për qind.

Në raport thuhet energjia diellore mbeti burimi i energjisë me rritje më të shpejtë në BE në vitin 2024, ndërsa energjia e erës burimi i dytë më i madh, mbi gazin dhe nën energjinë bërthamore.

Megjithatë, raporti paralajmëroi se nevojitet një përshpejtim nga tani deri në vitin 2030, duke sugjeruar se BE-ja ka “shumë për të fituar” nga përshpejtimi i tranzicionit të saj drejt energjisë elektrike nga era dhe dielli.

Përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër në energjinë elektrike do ta rrisë gjithashtu sigurinë e energjisë dhe do t'i ulë kostot e energjisë për të gjithë konsumatorët në gjithë bllokun, thuhet më tej.

“Lëndët djegëse fosile po humbasin kontrollin e tyre mbi energjinë e BE-së”, ka thënë Chris Rosslowe, analist i lartë në fushën e energjisë në Ember, duke theksuar se në fillimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në vitin 2019, pakkush mendonte se tranzicioni energjetik i BE-së mund të ishte aty ku është sot.

“Ndërsa tranzicioni i energjisë elektrike në BE ka ecur më shpejt nga sesa pritej në pesë vitet e fundit, përparimi i mëtejshëm nuk duhet shpërfillur”, ka vënë në dukje ai.

“Arritjet e pesë viteve të fundit duhet ta ushqejnë besimin se, me përpjekje dhe përkushtim të vazhdueshëm, sfidat mund të kapërcehen dhe të arrihet një e ardhme më e sigurt energjetike”, ka thënë eksperti i energjisë.

TRT Balkan / agjencitë