Raporti i BE-së: Evropa nuk është e përgatitur për rreziqet klimatike /         Foto: AA

Rreziqet klimatike tashmë kanë arritur nivele kritike dhe pa veprime urgjente dhe vendimtare mund të bëhen "katastrofike" për Evropën, njoftoi Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Në vlerësimin e parë evropian të rrezikut klimatik të publikuar të dielën vonë, agjencia paralajmëroi se Evropa është kontinenti që ngroh më shpejt në botë dhe rreziqet klimatike kërcënojnë energjinë dhe sigurinë e saj ushqimore, ekosistemet, infrastrukturën, burimet ujore, stabilitetin financiar dhe shëndetin e njeriut.

“Nxehtësia ekstreme, thatësirat, zjarret në pyje dhe përmbytjet, siç ndodhin vitet e fundit, do të përkeqësohen në Evropë edhe në skenarë optimistë të ngrohjes globale dhe do të ndikojnë në kushtet e jetesës në gjithë kontinentin”, tha Agjencia.

Sipas vlerësimit, politikat evropiane dhe veprimet përshtatëse nuk po ecin me ritmin e rritjes së shpejtë të rreziqeve.

“Në shumë raste, përshtatja graduale nuk do të jetë e mjaftueshme dhe duke qenë se shumë masa për të përmirësuar qëndrueshmërinë klimatike kërkojnë një kohë të gjatë, mund të nevojiten veprime urgjente edhe për rreziqet që nuk janë ende kritike”, thuhet në raport.

Duke vënë në dukje se disa rajone në kontinent janë pika të nxehta për rreziqe të shumta klimatike, studimi zbuloi se jugu i Evropës është veçanërisht në rrezik për shkak të zjarreve në pyje dhe ndikimit të nxehtësisë dhe mungesës së ujit në prodhimin bujqësor, si dhe punën në natyrë dhe shëndetin e njeriut.

"Për të siguruar qëndrueshmërinë e shoqërive tona, politikëbërësit evropianë dhe kombëtarë duhet të veprojnë tani për të reduktuar rreziqet klimatike si nëpërmjet reduktimeve të shpejta të emetimeve dhe politikave dhe veprimeve të forta të përshtatje", tha Leena Yla-Mononen, Drejtoreshë Ekzekutive e Agjencisë.

AA