Republikanët në ShBA janë në avantazh për të fituar kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, sipas rezultateve të deritanishme nga zgjedhjet e mesmandatit në ShBA.
Nga 435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, Republikanët kanë siguruar 195, ndërsa Demokratët 166 deri tani. Ngelin edhe 74 vende të tjera, të cilat do të përcaktojnë fituesin në Dhomën e Përfaqësuesve. Nga 74 të mbetura, Republikanëve u duhen edhe 23 mandate për të siguruar shumicën.
Gara për Senatin nga ana tjetër paraqitet të jetë shumë më e ngushtë. Demokratët kanë 46 mandate deri tani, ndërsa Republikanët 47. Senati numëron gjithsej 100 mandate, por në këto zgjedhje votohej vetëm për 35 karrige.
Republikanët fituan shumicën e mandateve në garë, por Demokratët kishin një përparësi me numrin e mandateve që nuk shkonin në votim në Senat.
Në zgjedhjet e së martës gjithashtu votohej për guvernatorë dhe për disa nisma referendumi. Sipas rezultateve të para, referendumi për mbrojtjen e të drejtave të abortit ka kaluar në 3 shtete.
Zgjedhjet e mesmandatit në ShBA janë zgjedhje të përgjithshme për dy dhomat e Kongresit që mbahen në mes të mandatit të presidentit. Nëse fitojnë Republikanët, do të jetë e vështirë për presidentin Demokrat Joe Biden të shtyjë përpara agjendën e tij politike në vend, për shkak të mungesës së shumicës për të votuar ligjet në shtëpinë ligjvënëse.