Akoma po numërohen votat për zgjedhjet e mesmandatit në ShBA, por rezultatet e deritanishme projektojnë një fitore të Konservatorëve republikanë që iu garanton shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Deri në këtë moment, partia Republikane ka fituar 209 mandate në Dhomën e Përfaqësuesve, përballë 191 mandateve të partisë Demokratike, sipas rezultateve nga CNN.
Përkundër fitores së Republikanëve, “vala e kuqe” që projektohej nga mediat, analistët dhe figurat e larta republikane, nuk ndodhi.
"Ndërsa shtypi dhe ekspertët po parashikonin një valë gjigante të kuqe, kjo nuk ndodhi", tha presidenti Joe Biden në paraqitjen e tij para mediave të mërkurën.
Presidenti Biden tha se amerikanët edhe një herë “mbrojtën demokracinë” me votën e tyre, duke përforcuar përshtypjen se përkundër humbjes, Demokratët kaluan më mirë se sa prisnin.
Përveç fitores në Dhomën e Përfaqësuesve, ku historikisht gjithmonë humb partia që e ka presidentin, Republikanët prisnin një fitore edhe në Senat. Por, rezultatet për senatorët dëshmojnë mungesën e valës së kuqe.
Balotazh për Senatin
Demokratët fituan një betejë shumë të rëndësishme në shtetin Pennsylvania, që mund të rezultojë vendimtare për të mos lejuar Republikanët të marrin shumicën në Senat. Kandidati demokrat John Fetterman mposhti mjekun me origjinë turke Mehmet Oz nga partia republikane, duke fituar karrigen e senatorit që deri tani u përkiste republikanëve.
Aktualisht, nga 100 vendet në Senat, Republikanët kanë fituar 49, ndërsa Demokratët 48.
Tri shtetet e mbetura, Nevada, Arizona dhe Georgia do të vendosin fituesin në Senat. Në Nevada aktualisht po udhëheq kandidati Republikan, ndërsa në Arizona ai Demokrat.
Ndërsa pas përfundimit të numërimit të votave në Georgia, ky shtet shkon në balotazh më 6 dhjetor për shkak se asnjëri prej kandidatëve nuk fitoi 50% të votave. Kandidati Demokrat, sidoqoftë, kishte përparësi të vogël ndaj kundërkandidatit Republikan.
Nëse vazhdon trendi i njëjtë në 3 shtetet, dy partitë e mëdha amerikane përfundojnë me nga 50 mandate secila në Senat.
Sipas rregullimit të brendshëm të ShBA-së, barazimi në Senat i jep përparësi partisë në pushtet. Kryetar i Senatit, sipas Kushtetutës, është zv/presidenti i ShBA-së, në këtë rast Kamala Harris, e cila është vota e 101-të në raste kur votimi përfundon me barazim.