Senati amerikan konfirmoi Robert F. Kennedy Jr.-in si Sekretar të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) me një rezultat të ngushtë votash, 52 pro dhe 48 kundër.
I nominuari i presidentit Donald Trump ka qenë një figurë e diskutueshme për shkak të qëndrimeve të tij mbi vaksinat dhe politikat e shëndetësisë publike. Gjatë seancës së konfirmimit, ai u zotua ta përmirësojë sistemin shëndetësor amerikan dhe mohoi akuzat se është kundër vaksinave, duke deklaruar se mbështet sigurinë e tyre.
Debati mbi vaksinat u intensifikua kur senatori Ron Wyden e sfidoi Kennedyn për deklaratat e tij të mëparshme, duke e pyetur nëse po gënjente Kongresin apo kishte gënjyer më herët në podkaste. Kennedy këmbënguli se mbështet vaksinat kundër fruthit dhe poliomielitit dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që dekurajon vaksinimin.
Përveç çështjes së vaksinave, Kennedy ka shprehur qëndrimin e tij mbi abortin, duke e quajtur atë një “tragjedi” dhe duke theksuar se shtetet duhet të kenë kontroll mbi legjislacionin për abortin.