ShBA, arrestohet i dyshuari për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara / Foto: AA

Autoritetet ligjzbatuese të ShBA-së kanë arrestuar një anëtar të Gardës Kombëtare Ajrore të ShBA-së të dyshuar për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit, raportojnë mediat amerikane.

Oficerët arrestuan Jack Teixeiran, 21 vjeç, në shtetin e Massachusetts-it, ku ai kishte shërbyer në ushtri, thanë mediat. CNN-i transmetoi pamje ajrore që duket se tregon agjentë të FBI-së të armatosur rëndë duke arrestuar Teixeiran.

Gazeta “New York Times” fillimisht e identifikoi atë si udhëheqësin e “chat grupit” në Discord, ku fillimisht ishin zbuluar dokumentet.

FBI-ja nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në të cilin u kërkua konfirmimi i arrestimit.

Raportimet që identifikuan Teixeiran erdhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se hetuesit federalë “janë afër” identifikimit të burimit të rrjedhjes së dokumenteve të Pentagonit.

“Ka një hetim të plotë që po vijon me komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Drejtësisë. Ata janë më afër”, tha ai para gazetarëve në Irlandë, ku ai po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare si president.

Në intervistat me katër anëtarë të “chat grupit” “Thug Shaker Central”, New York Times tha se udhëheqësi i grupit përshkruhej si më i vjetër se të rinjtë dhe adoleshentët që përbënin grupin dhe kishte qasje në dokumentet e inteligjencës amerikane nëpërmjet punës së tij.

Anëtarët e grupit nuk e identifikuan liderin me emër, por Times tha se një analizë e aktivitetit dhe informacionit në internet, duke përfshirë një profil lojtari video-lojërash, i shtyu ata të përcaktonin se individi ishte Teixeira.

Sipas imazheve që qarkullojnë në mediat sociale, shumë prej dokumenteve janë fotografi të shkrepura në mënyrë të papërpunuar me shenja që mbajnë nivele të ndryshme klasifikimi dhe duken të palosura.

AA