ShBA-ja dhe Afganistani në Doha diskutuan raportet dypalëshe.     /Foto: AA

Delegacionet amerikane dhe afgane janë takuar në Doha të Katarit për të diskutuar një sërë çështjesh midis dy palëve të mëparshme ndërluftuese, duke përfshirë sanksionet ekonomike, të drejtat e njeriut dhe futjen në listën e zezë të disa liderëve talebanë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Afganistanit njoftoi se bisedimet dyditore në nivel delegacioni përfunduan dje.

Delegacioni afgan, i kryesuar nga ministri i Jashtëm i përkohshëm, Maulvi Amir Khan Muttaqi, përfshinte përfaqësues të ministrisë së Financave dhe të Bankës së Afganistanit dhe zyrtarë të ambasadës afgane.

Delegacioni amerikan i përbërë nga 15 anëtarë drejtohej nga përfaqësuesi special i Washingtonit për Afganistanin, Thomas West.

“U diskutua ndërtimi i besimit midis dy palëve, ndërmarrja e hapave praktikë në këtë drejtim, heqja e listës së zezë dhe sanksionet, lirimi i depozitave bankare të Afganistanit, ruajtja e stabilitetit ekonomik të Afganistanit, si dhe lufta kundër drogës dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim.

Pala afgane përsëriti se është me rëndësi të ndërtohet besimi për të hequr “listën bardhë e zi” dhe për të hapur rezervat bankare në mënyrë që afganët të mund të ndërtojnë ekonominë e tyre pa ndihmën e huaj.

Më tej, thuhet se u diskutua edhe ndihma humanitare, udhëtimi falas në Afganistan dhe shërbimet konsullore të afganëve kudo në botë.

Talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan më 15 gusht të vitit 2021, pasi zyrtarët e administratës së Kabulit të mbështetur nga ShBA-ja ikën nga vendi dhe forcat e huaja u tërhoqën.

Prej atëherë, ShBA-ja vendosi sanksione ndaj qeverisë së përkohshme afgane.

Zv/zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, i pyetur nga Anadolu në një konferencë për media lidhur me takimin, tha se takimi “nuk tregon ndonjë ndryshim në politikën e ShBA-së”.

“Ne kemi qenë shumë të qartë se do të angazhohemi me talebanët në mënyrën e duhur kur është në interesin tonë për ta bërë këtë. Kjo nuk ka për qëllim asnjë lloj treguesi të njohjes ose ndonjë lloj treguesi të normalizimit ose legjitimitetit të talebanëve”, tha Patel.

Duke kujtuar komentet e tij të mëparshme mbi "shqetësimet e vazhdueshme të amerikanëve për kthimin prapa në Afganistan", përfshirë abuzimet e të drejtave të njeriut ndaj grave dhe vajzave, Patel tha se “të gjitha ato gjëra dhe shumë të tjera vazhdojnë të jenë një shqetësim i jashtëzakonshëm për ShBA-në".


TRT Balkan / agjencitë