Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, të cilat do të hyjnë në fuqi këtë të shtunë. Lajmi u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë të premten, duke përgënjeshtruar raportimet e mëparshme mediatike që sugjeronin një shtyrje të këtij vendimi.
Sipas deklaratës zyrtare, tarifat përfshijnë një taksë prej 25% mbi të gjitha mallrat e importuara nga Kanadaja dhe Meksika, si dhe një tarifë prej 10% për importet nga Kina. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se tarifa ndaj Kinës po vendoset "për fentanilin e paligjshëm që ka burimin nga aty dhe lejohet të shpërndahet në vendin tonë."
“Këto janë premtime të bëra dhe premtime të mbajtura,” shtoi ajo.
Ky zhvillim vjen pas spekulimeve se administrata mund të kishte planifikuar të shtynte vendosjen e tarifave deri më 1 mars. Ekspertët paralajmërojnë se ky vendim pritet të nxisë masa hakmarrëse tregtare nga Kanadaja, Meksika dhe Kina, të cilat janë ndër partnerët kryesorë të ShBA-së në tregti.
Në një deklaratë të mëparshme, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum theksoi se Meksika ka përgatitur disa skenarë për të reaguar ndaj masave të reja të Trumpit.
"Ne kemi Planin A, Planin B, Planin C, në varësi të asaj që vendos qeveria e Shteteve të Bashkuara. Është shumë e rëndësishme që populli i Meksikës të dijë se ne gjithmonë do të mbrojmë dinjitetin e popullit tonë, se ne gjithmonë do ta mbrojmë respekt për sovranitetin tonë dhe të angazhohemi në dialog si të barabartë, siç kemi thënë gjithmonë, pa nënshtrim,” deklaroi ajo para gazetarëve.
Ndërkohë, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka paralajmëruar një përgjigje të shpejtë dhe të synuar nëse tarifat do të hyjnë në fuqi.
"Dhe, sigurisht, gjithçka është në tryezë," theksoi ai.
Ky vendim mund të përshkallëzojë tensionet tregtare mes ShBA-së dhe partnerëve të saj kryesorë ekonomikë, duke ndikuar ndjeshëm në flukset tregtare dhe ekonomike globale