ShBA-ja me sytë nga Kamala Harris, pritet të zëvendësojë Bidenin / Photo: AA

Pasi presidenti i ShBA-së Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale që do të mbahet më 5 nëntor, vëmendja është kthyer nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, për të cilën Bideni dha "miratim dhe mbështetje" për të si zëvendësuesen e tij.

Nëse Harris zgjidhet nga Demokratët për Presidencën e ShBA-së dhe fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, Harris do të jetë presidentja e parë femër në historinë e ShBA-së.

Zëvendëspresidentja Harris lindi në vitin 1964 në Oakland të Kalifornisë, nga një nënë biologe që erdhi në ShBA nga India si studente dhe një baba me ngjyrë, një profesor ekonomie që erdhi nga Xhamajka në ShBA si student.

E diplomuar për drejtësi, ajo ka punuar si prokurore në San Francisco për shumë vjet, dhe ka kandiduar për postin e Prokurores së Përgjithshme të Kalifornisë në vitin 2010. Harris, prokurorja e përgjithshme e parë me ngjyrë dhe e para femër e zgjedhur në historinë e vendit, u rizgjodh prokurore e përgjithshme e shtetit për një mandat të dytë në 2014.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Harris u bë senatorja e parë me origjinë nga Azia Jugore dhe senatorja e dytë me ngjyrë që hyri në Kongres nga Kalifornia.

Harris, e cila ishte ndër kandidatet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nga Partia Demokratike, u eliminua në zgjedhjet paraprake.

Joe Biden, i cili më pas fitoi nominimin e Partisë Demokratike, njoftoi më 11 gusht 2020 se ai kishte nominuar në garë Harrisin si "zv/presidente".

Me Demokratët që fituan zgjedhjet më 3 nëntor 2020, Harris mori detyrën si zv/presidente e 49-të, duke bërë betimin me presidentin e zgjedhur të ShBA-së Biden në ceremoninë e pranim-dorëzimit më 20 janar 2021.

Gjatë detyrës së saj, Harris vizitoi 19 shtete dhe u takua me mbi 150 liderë, punoi me Bidenin për të rritur punësimin duke investuar në ekonomi. Përveç luftimit me racizmin dhe seksizmin, Harris u dallua edhe për mbrojtjen e abortit dhe të LGBTQ-së.

Mori rol aktiv në hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016

Pas hyrjes në Kongres, Harris fillimisht u njoh me reagimin e saj ndaj qarkores që ndalonte udhëtimin në ShBA nga 7 vende myslimane, të cilën ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e nënshkroi më 28 janar 2017, sapo mori detyrën.

Ndërsa Harris vazhdoi qëndrimin e saj hetuese ndaj kabinetit të Trumpit dhe emërimeve të larta në 2017, ajo u zgjodh si anëtare e Komitetit Gjyqësor të Senatit në 2018. Harris gjithashtu mori rol aktiv në hetimet e Senatit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në këtë kontekst, emri i Harrisit u përmend shpesh në media, pasi mori në pyetje në Senat Sekretarin e Drejtësisë William Barr për "raportin Mueller".

Përveç në Komisionin Gjyqësor, Harris shërbeu gjithashtu në Komitetin e Senatit për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Shtetërore, Komitetin e Përzgjedhur të Inteligjencës dhe Komitetin e Buxhetit.

Pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 3 nëntor 2020, Harris hyri në histori si gruaja e parë me ngjyrë me origjinë indiane dhe Karaibe që u bë zv/presidente në historinë e vendit.

AA