ShBA-ja ndihmon Kosovën në helikopterë, radarë dhe mbrojtje ajrore. / Foto: FSK

ShBA-ja do të ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve për helikopterë, radarë dhe mbrojtje ajrore, duke kontribuuar në përgatitje dhe siguri strategjike të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në ShBA, ka theksuar se ShBA-ja ka riafirmuar edhe një herë përkushtimin e tyre për të forcuar sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Mbështetja e ShBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, ShBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm”, tha Maqedonci.

Ai shtoi se përmes mbështetjes konkrete kjo iniciativë jo vetëm që rrit aftësitë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe forcon pozicionin e Kosovës si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë.

Maqedonci, i cili po qëndron në ShBA bashkë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, dje kanë takuar në Departamentin e Shtetit, zv/ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Alexander Kasanof.

Në këtë takim, ministri kosovar tha se u ritheksua rëndësia e vazhdimit të mbështetjes së diplomacisë amerikane në aspiratën e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike, veçanërisht në NATO.

TRT Balkan / agjencitë