ShBA-ja ndihmon me 95 miliardë dollarë Izraelin, Ukrainën dhe Tajvanin /    Foto: AA

Senati i ShBA-së miratoi paketën e ndihmës së jashtme prej 95 miliardë dollarësh që përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe 26 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin.

Paketa e ndihmës së jashtme që Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi fundjavën e kaluar dhe e dërgoi në Senat, u pranua me 78 vota pro dhe 18 vota kundër, me një votim të mbajtur në orët e vona të natës në Asamblenë e Përgjithshme të Senatit.

Projektligji i cili brenda tij përfshinte 4 projektligje të veçanta dhe u bë në një paketë të vetme duke u bashkuar në Senat, u miratua nga shumica dërrmuese e senatorëve, ndërsa disa demokratë, duke përfshirë edhe senatorin e pavarur Bernie Sanders kritikuan mbështetjen e dhënë për Izraelin. Ndërkohë që edhe disa senatorë republikanë kundërshtuan mbështetjen e siguruar për Ukrainën duke votuar kundër.

Në paketën që u dërgua në Shtëpinë e Bardhë pas miratimit të Senatit, 61 miliardë dollarë ndahen me qëllim për mbështetje ushtarake për Ukrainën, 26 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Izraelin, 9 miliardë dollarë ndihmë humanitare për zonat e luftës përfshirë Gazën dhe 8,1 miliardë dollarë për rajonin Indo-Paqësor.

Projektligji përfundimtar i përfshirë në paketën e miratuar nga Senati hap rrugën që asetet ruse në SHBA të ngrihen dhe të përdoren për të ndihmuar Ukrainën dhe që TikTok të ndalohet në ShBA.

Në anën tjetër, presidenti amerikan, Joe Biden, i cili bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me projektligjin, deklaroi se do ta nënshkruajë projektligjin të mërkurën pasi të mbërrijë në tryezën e tij.

Biden theksoi se pasi projektligji të bëhet ligj, ShBA-ja do t'i ofrojë mbështetje Ukrainës në mënyrën më të shpejtë dhe se bashkë me këtë do të sigurohet mbështetje ushtarake për Izraelin "kundër kërcënimit iranian" dhe do të dërgojnë ndihma në zona të ndryshme të krizës humanitare, përfshirë Gazën.

AA