SHBA "pajtohet" për lirimin e fondeve afgane përmes bankës zvicerane     Foto: Reuters

Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të lirojnë një pjesë të aseteve të ngrira të Afganistanit, të cilat u sekuestruan pasi Talebanët erdhën në pushtet vitin e kaluar, ka mësuar TRT World nga burime të besueshme.

Fondi prej 3.5 miliardë dollarësh ka të ngjarë t’i jepet Bankës së Shlyerjeve Ndërkombëtare (BIS) me seli në Bazel të Zvicrës, tha një burim i informuar për këtë çështje.

“Një bord ndërkombëtar ekspertësh është krijuar gjithashtu për të disbursuar paratë,” tha burimi për TRT World.

Njoftimi pritet të bëhet në javët në vijim

Rreth 9 miliardë dollarë të aseteve në valutë të huaj të bankës qendrore të Afganistanit të mbajtura në ShBA dhe banka të tjera të huaja u ngrinë pasi Talebanët pushtuan Kabullin më 15 gusht dhe dëbuan qeverinë e Presidentit Ashraf Ghani të mbështetur nga ShBA-ja.

Administrata e Presidentit të ShBA-së, Joe Biden, vazhdoi bisedimet për lirimin e aseteve të huaja të Afganistanit muajin e kaluar, pavarësisht pranisë së liderit të ndjerë të Al-Kaedës, Ayman al Zawahiri në Kabull.

Departamenti i Shtetit, megjithatë, përjashtoi mundësinë e rikapitalizimit të bankës qendrore të Afganistanit (DAB) si “një opsion afatshkurtër” pasi Zawahiri u vra, duke pretenduar se Talebanët kishin ngritur shqetësime duke e strehuar atë në kundërshtim me marrëveshjen e tërheqjes së trupave amerikanë të vitit 2020.

Në zhvillimin e ri, DAB-i mund të marrë fondet për përdorim përfundimtar “por ShBA-ja do të dëshironte një përputhje të rreptë me protokollet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke shtuar një mbikëqyrje nga palët e treta të fondeve”, tha burimi.

Bordi ndërkombëtar i ekspertëve ka për detyrë të sigurojë që të gjitha këto kushte janë përmbushur.

Qeveria talebane është e hapur ndaj një propozimi të ShBA-së për mbikëqyrje nga palët e treta, por dëshiron të ruajë autoritetin mbi mënyrën se si përdoret.

“Rezerva e ngrirë është pronë e popullit të Afganistanit; është një rezervë e bankës qendrore e përdorur në transaksionet e saj,” tha zëdhënësi i Talebanëve, Suhail Shaheen, për TRT World.

“I takon popullit të Afganistanit të vendosë se çfarë të bëjë dhe si t’i përdorë rezervat e veta. Vendimi i njëanshëm për rezervat e DA Afghanistan Bank është i paligjshëm nëse nuk ka pëlqim nga DAB-i.”

Fatkeqësi humanitare

ShBA-ja ka qenë nën presion nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe diaspora afgane për të liruar fonde për të lehtësuar katastrofën humanitare që po shpaloset në vendin e shkatërruar nga lufta.

Për ShBA-në dhe aleatët e saj perëndimorë, të cilët deri më tani kanë refuzuar të njohin qeverinë talebane, pengesa kryesore ka qenë gjetja e një mënyre për të shpenzuar fondet pa i lënë Talebanët t’i marrin paratë.

“Lëshimi i këtyre fondeve është i rëndësishëm për të lehtësuar vështirësitë e njerëzve afganë të cilët e kanë të vështirë të paguajnë edhe për nevojat elementare,” tha për TRT World Shah Mehrabi, një profesor afgano-amerikan i ekonomisë i cili është në Këshillin e Lartë të Bankës Qendrore Afgane.

Diskutimet e vazhdueshme

ShBA-ja ka qenë në diskutime me Zvicrën për vënien e besimit, i cili mund të ndihmojë në disbursimin e fondeve.

Shumica e aseteve të huaja të Afganistanit – rreth 7 miliardë dollarë – mbahen në Bankën e Rezervës Federale të Nju Jorkut.

Negociatat për lirimin e fondeve, të cilat janë thelbësore për të trajtuar atë që OKB-ja po e quan një të ardhme “jashtëzakonisht të zymtë” për afganët, kanë përqendruar rreth 3.5 miliardë dollarë, të cilat Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka lënë mënjanë për Afganistanin.

Pjesa e mbetur prej 3.5 miliardë dollarësh e parave të Afganistanit me FED-in është regjistruar për t’u shpërndarë si kompensim për viktimat e sulmeve të 11 shtatorit, të cilat çuan në pushtimin e Afganistanit nga ShBA-ja në 2001.

Qeveria e ShBA-së është përballur me kritika për mbajtjen e fondeve afgane në një kohë kur afganët e zakonshëm po zhyten në uri dhe varfëri. Shumë e kanë kritikuar ShBA-në për politizimin e fondeve kundër Talebanëve, edhe pse ishte Al-Kaeda ajo që ishte përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit.

Megjithatë, familjet e 3.000 viktimave të vrarë në sulmet në Kullat Binjake në Nju Jorkut dhe qytete të tjera kanë shtyrë gjykatat amerikane të konfiskojnë asetet e Afganistanit.

Një gjykatës federal i ShBA-së në vitin 2012 i dha grupit atë shumë pas një gjykimi të paracaktuar kundër disa anëtarëve të Talebanëve, Al-Kaedës dhe Iranit.

TRT World