Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po i ndjekin me shqetësim të madh ngjarjet në Korenë e Jugut pasi presidenti i vendit Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Zëvendëszëdhënësi Vedant Patel njoftoi se ShBA-ja është e përkushtuar të punojë me homologët e saj të Koresë së Jugut në të gjitha nivelet.
“Sekretari Antony Blinken është i informuar dhe ne po e mbajmë atë të përditësuar rregullisht mbi zhvillimet dhe po vëzhgojmë me vëmendje atë që po ndodh në terren”, tha Patel.
Ai shtoi se aleanca e ShBA-së me Republikën e Koresë së Jugut është e fortë dhe se ata janë plotësisht të përkushtuar për bashkëpunim të ndërsjellë.
“Ne shpresojmë dhe presim që çdo mosmarrëveshje politike të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”, tha Patel.
Për zhvillimet në Korenë e Jugut është njoftuar edhe presidenti amerikan Joe Biden.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend të martën. Megjithatë, opozita miratoi shpejt një propozim në parlament që kërkonte heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Presidenti Yoon shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një fjalim televiziv, duke thënë se ishte e nevojshme "të mbrohet vendi nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe të eliminohen aktorët antishtetërorë.”
Që nga marrja e detyrës në vitin 2022, Presidenti Yoon është përpjekur të imponojë agjendën e tij kundër Parlamentit të kontrolluar nga opozita.