Shteti amerikan i Teksasit shpalli gjendjen e katastrofës të martën për shkak të zjarreve të mëdha pyjore që dolën jashtë kontrollit ndërsa mijëra banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre.
Katër zjarre në pjesën veriore të shtetit, të njohur si Texas Panhandle, shpërthyen të hënën duke djegur tashmë 240 mijë hektarë tokë, thanë zyrtarët lokalë. Flakët u përhapën me shpejtësi në pyje të ndihmuara nga erërat me shpejtësi midis 64 dhe 96 kilometra në orë dhe kushtet e motit të thatë dhe jashtëzakonisht të ngrohtë.
Deri më tani 5.000 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe pritet që urdhri për evakuim të lëshohet për më shumë njerëz pasi zjarret vazhdojnë të përhapen.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka shpallur gjendjen e katastrofës për 60 qarqe në Panhandle.
"Kam shpallur gjendje të katastrofës për të siguruar që burimet kritike të reagimit ndaj zjarrit të vendosen shpejt në zonat në Texas Panhandle të prekura nga zjarret shkatërruese. Kushtet e nxehta dhe të thata nga temperaturat e larta dhe kushtet me erë pritet të vazhdojnë në rajon edhe në ditët e ardhshme. Këto kushte mund të rrisin potencialin që zjarret të bëhen më të mëdha dhe më të rrezikshme", tha Abbott.
Shumë rrugë dhe autostrada në rajon janë mbyllur për shkak të zjarreve dhe tymit duke pamundësuar dukshmërinë. Zjarrfikësit aktualisht janë duke shuar 13 zjarre në gjithë shtetin. Paralajmërimet për zjarre janë në fuqi për shtetet e Teksasit, Oklahomës dhe Kansasit.