ShBA-ja vendos sanksione ndaj Bankës Jemen-Kuvajt         / Foto: AA

ShBA-ja të premten vendosi sanksione ndaj Bankës Jemen-Kuvajt për Tregti dhe Investime për lidhjet e saj të supozuara me grupin Houthi.

Departamenti i Thesarit tha në një deklaratë se po vendos sanksione ndaj bankës "për mbështetjen e saj financiare ndaj Ansarallah, i njohur gjerësisht si Houthit".

Ai tha se Houthit, një organizatë e shpallur terroriste nga ShBA-ja, vazhdojnë të sulmojnë personelin ushtarak amerikan, partnerët rajonalë dhe tregtinë legjitime në Detin e Kuq.

Houthit kanë shënjestruar anije të ngarkesave izraelite ose ato të lidhura me Tel Avivin në Detin e Kuq me raketa dhe dronë, si një shenjë mbështetjeje për Rripin e Gazës, ku gati 47.000 njerëz janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori 2023.

"Houthit mbështeten te disa institucione kyç financiare si Banka Jemen-Kuvajt për të hyrë në sistemin financiar ndërkombëtar dhe për të financuar sulmet e tyre destabilizuese në rajon," tha Bradley Smith, Ushtrues Detyre i Sekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare.

Smith shtoi se ShBA-ja është e përkushtuar për t’i ndërprerë këto "kanale të paligjshme" dhe për të punuar me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit për të siguruar që sektori bankar i vendit të mbetet i izoluar nga ndikimi i Houthive.

TRT Balkan / agjencitë