Të paktën 49 persona janë prekur nga bakteria Escherichia coli (E. coli), dhe një person ka vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), duke paralajmëruar se të gjitha rastet e epidemisë janë të lidhura me një produkt nga McDonald's.
Në njoftimin e CDC-së thuhet se rastet janë raportuar në dhjetë shtete amerikane dhe se dhjetë persona janë shtruar në spital.
Përbërësi i kontaminuar në hamburger që ka shkaktuar sëmundjen nuk është zbuluar, njoftoi CDC, duke shtuar se McDonald's po bashkëpunon me hetuesit për ta identifikuar atë.
Megjithatë, zinxhiri i ushqimit të shpejtë ka ndalur përdorimin e qepës së freskët dhe qoftes së viçit në Quarter Pounder në disa shtete.
"Gjetjet e para nga hetimi tregojnë se një nën-grup sëmundjesh mund të jetë i lidhur me qepën e grirë që përdoret në Quarter Pounder dhe vjen nga një furnizues që shërben tri qendra shpërndarjeje. Si rezultat i kësaj, dhe në përputhje me protokollet tona të sigurisë, të gjitha restorantet lokale kanë marrë udhëzime për të hequr këtë produkt nga oferta e tyre, dhe ne kemi pezulluar shpërndarjen e qepës së prerë në zonën e prekur", njoftoi McDonald's.
Simptomat e E. coli përfshijnë dhimbje barku, diarre, si dhe të vjella.