Republikanët edhe zyrtarisht kanë fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dhomën e ulët të Kongresit amerikan. Me avancimin e numërimit të votave, u zyrtarizua mandati i 218-të i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, duke siguruar minimumin e nevojshëm për shumicë.
Dhoma e Përfaqësuesve ka gjithsej 435 ulëse, ndërsa Demokratët deri tani kanë siguruar 210. Edhe 7 mandate do të shpërndahen pas përfundimit të numërimit të votave.
Senati mbetet i demokratëve
Dhoma tjetër e kongresit, Senati, do të mbetet i kontrolluar nga Demokratët. Ata kanë fituar 50 mandate ndaj 49 mandateve të republikanëve.
Për mandatin e 100-të do të vendoset me balotazh në Georgia më 6 dhjetor.
Megjithatë, edhe nëse Republikanët fitojnë në Georgia dhe barazohen mandatet, Demokratët përsëri do të kenë shumicën, për shkak se në rast barazimi në Senat, vendos vota e zv/presidentit.
Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA nuk përmbushën paralajmërimet e republikanëve për një “valë të kuqe”. Disa prej figurave republikane paralajmëronin fitore në të dyja dhomat e Kongresit.