Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin e këtij vendi, Albin Kurti realizuan një takim të rëndësishëm me sekretarin amerikan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.
Pas këtij takimi presidentja e Kosovës theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë ekzistenciale dhe se është nder i veçantë takimi me sekretarin e Shtetit, Blinken, me të cilin rikonfirmuam partneritetin e palëkundur si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm e strategjik.
“Me SHBA-në do ta intensifikojmë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik. Së bashku qëndrojmë krah për krah në adresimin e sfidave të përbashkëta ndaj paqes, sigurisë si dhe në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
Nga ana tjetër kryeministri Kurti njoftoi se me Sekretarin Blinken kanë diskutuar për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Theksuam raportet tona bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre sidomos në rrafshin ekonomik me më shumë investime dhe në atë tregtar me më shumë shkëmbime. Po ashtu diskutuam për demokratizimin e rajonit dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet nga të cilat kanoset Ballkani Perëndimor”, shkroi Kurti në Facebook.
Më tej, Kurti shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit.
“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”, theksoi Kurti.
Sipas Kurtit marrëdhëniet mes vendeve, popullit të Kosovës dhe SHBA-së aktualisht janë të fuqishme si dhe të thella historikisht.
“Qëndrojmë krah për krah njëra tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë”, tha Kurti.
Poashtu edhe Sekretari Blinken pas takimit nëpërmjet Twitter njoftoi se është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington.
“U takova me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. SHBA-ja mbështet integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të cilën e ndihmon BE-ja. E vlerësojmë mikpritjen e Kosovës ndaj afganëve dhe mbështetjen e tyre të fuqishme ndaj Ukrainës”, shkroi Blinken.
Osmani dhe Kurti sot në Kongresin e SHBA-së do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 200 milionë dollarë.