Në kryeqytetin e ShBA-së, Washington D.C., është dëgjuar një zhurmë e madhe e cila ka shkaktuar panik.
Në postimet e bëra në mediat sociale thuhet se rreth orës 15:30 me orën lokale është dëgjuar një zhurmë e ngjashme me zërin e shpërthimit sonik. Bëhet e ditur se për shkak të shpërthimit, nëpër shtëpi është ndier tronditje.
Pas denoncimeve në linjat e urgjencës nga qytetarët, njoftohet se policia ka pyetur për ngjarjen Administratën Federale të Aviacionit (FAA) dhe se në një postim nga llogaria në Twitter e Departamentit të Sigurisë Kombëtare është theksuar: "Jemi të vetëdijshëm për shpërthimin e dëgjuar në kryeqytet, aktualisht nuk ka ndonjë kërcënim".
Më pas, nga llogaria në median sociale të Zyrës së Administratës së Emergjencave të Annapolis është ndarë informacioni se shpërthimi në fjalë është shkaktuar nga një "fluturim i autorizuar i Departamentit të Mbrojtjes" dhe se zhurmën e ka shkaktuar një avion luftarak duke e kaluar kufirin e zërit.
Në një deklaratë me shkrim nga Administrata Federale e Aviacionit thuhet se një avion i llojit Cessna që është ngritur nga Tennessee drejt Long Island ka hyrë në zonën e ndaluar për fluturim mbi Washington dhe më pas ka rënë në një zonë malore në jugperëndim të Virginias.
Në shtypin amerikan vihet në dukje se avioni në fjalë nuk u është përgjigjur paralajmërimeve në radio dhe se pas kësaj avionët F-16 janë ngritur në ajër me autorizimin e reagimit emergjent me shpejtësi supersonike, gjë e cila ka shkaktuar shpërthimin e zërit.
Ndërkohë nuk janë ndarë informacione se përse avioni nuk u është përgjigjur thirrjeve, se sa persona ndodheshin brenda tij dhe se përse është rrëzuar. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë njoftuar se është informuar presidenti i ShBA-së Joe Biden, i cili gjatë ngjarjes po luante golf në bazën ushtarake Maryland.
Vihet në dukje se vazhdon hetimi nga FAA-ja lidhur me ngjarjen dhe se detajet do të transmetohen më vonë.