Shitjet e Starbucks shënojnë rënie për tremujorin e tretë radhazi / Photo: AA

Zinxhiri i kafeneve me bazë në ShBA, Starbucks, ka shënuar rënie të shitjeve për të tretin tremujor radhazi, sipas deklaratës së rezultateve financiare të publikuar të mërkurën.

Shitjet e krahasueshme globale të dyqaneve kanë rënë me 7 për qind, thuhet në deklaratë. Ndërsa shitjet e dyqaneve në Amerikën e Veriut kanë rënë me 6 për qind, shitjet e dyqaneve në Kinë janë rritur me 14 për qind dhe shitjet ndërkombëtare kanë rënë me 9 për qind, sipas deklaratës.

Kompania tha se ka hapur 722 dyqane të reja neto në tremujorin e katërt të vitit fiskal 2024, që korrespondon me periudhën korrik-shtator të këtij viti, duke i dhënë fund periudhës me një total prej 40.199 dyqanesh në nivel global. "Në fund të tremujorit të katërt, dyqanet në ShBA dhe Kinë përbënin 61 për qind të portofolit global të kompanisë, me 16.941 dhe 7.596 dyqane përkatësisht në SHBA dhe Kinë", thuhet në deklaratë.

Kompania ka shënuar një rënie prej 3 për qind të të ardhurave, nga 6,9 në 6,69 miliardë dollarë në bazë vjetore, sipas rezultateve financiare. "Është e qartë se duhet të ndryshojmë rrënjësisht strategjinë tonë për të rifituar klientët", ka thënë Brian Niccol, kryetar dhe shef ekzekutiv. "Kemi një plan të qartë dhe po lëvizim shpejt për të kthyer Starbucksin në rritje", ka deklaruar ai.

Ndërkaq, shefja financiare Rachel Ruggeri ka thënë se rezultatet financiare nuk pasqyrojnë fuqinë e markës Starbucks, duke shtuar se ajo ka besim në aftësinë e kompanisë për të kthyer biznesin e saj dhe për t’u kthyer në rritje afatgjatë.

TRT Balkan / agjencitë