Numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 22.185, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar. Në komunikatën për media, ministria tha se numri i personave të plagosur është rritur në 57.035, prej të cilëve gati 70 për qind janë gra dhe fëmijë.
Forcat izraelite kanë “kryer në 24 orët e fundit gati 15 masakra kundër familjeve palestineze në gjithë Rripin e Gazës, duke lënë 207 palestinezë të vrarë dhe 338 të tjerë të plagosur”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Izraeli nisi sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Sulmet e kanë lënë territorin në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës së enklavës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati dy milionë banorë të zhvendosur, të cilët po përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Sipas autoriteteve izraelite që nga 7 tetori kanë vdekur rreth 1.200 izraelitë.
Sëmundjet po përhapen në strehimoret e mbipopulluara dhe rrugët e mbushura të qytetit Rafah në Gazën jugore, një nga vendet më të dendura në planet, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.