“Türkiye po punon intensivisht për t’i luftuar narrativat e rrejshme që Izraeli po shpërndan mbi palestinezët dhe luftën shkatërrimtare në Gaza“, deklaroi Fahrettin Altun, drejtori për Komunikimin.
“Qendra për Luftën kundër Dezinformimit ka identifikuar më shumë se 250 raste të dezinformatave izraelite dhe ka publikuar gjetjet e saj në gjashtë gjuhë për një audiencë ndërkombëtare“, u shpreh ai në një ngjarje të titulluar “Lansimi i panel-platformës Gënjeshtrat e Izraelit”.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidenti izraelit Isaac Herzog prezantoi një libër duke thënë: “Ky është libri i titulluar Fundi i Hebrenjve, të cilin ushtarët tanë e gjetën në Gaza. Ky libër është shkruar nga një lider i lartë i Hamasit, Mahmoud al-Zahar.” Mirëpo, ky libër është publikuar në vitin 1990 nga një autor egjiptian dhe nuk ka lidhje me Hamasin apo Palestinën.
Në një rast tjetër, Altun theksoi se Izraeli pretendoi që Hamasi ishte përgjegjës për sulmin ndaj spitalit arab Al-Ahli në lagjen Zeitoun në Gaza.
“Ky pretendim gjithashtu ishte dezinformatë“, shpjegoi ai. “Sulmet e përsëritura të Izraelit ndaj spitaleve në Gaza tregojnë qartë se vepron pa marrë parasysh standardet etike ose normat.”
Mediat e njëanshme perëndimore
Altun tha se një prej faktorëve që shtyn Türkiyen të zbulojë veprimet e Izraelit përmes platformave si “Gënjeshtrat e Izraelit“ është njëanshmëria e mediave perëndimore.
Ai theksoi se, që nga fillimi i luftës, Izraeli ka marrë një mbështetje të gjerë ushtarake dhe politike, me përkrahjen entuziaste të mediave globale.
Së fundmi, Altun përmendi se një platformë digjitale madje ndaloi 19 filma të lidhur me Palestinën, duke mohuar jo vetëm lirinë e shprehjes, por gjithashtu duke mbështetur një nga gjenocidet më brutale në histori.
Kjo hipokrizi, sipas Altunit, është një shembull i qartë se si dinjiteti njerëzor shpesh sakrifikohet për përfitime politike dhe ekonomike, veçanërisht për të kënaqur grupet lobuese cioniste.
Ai përshkroi mënyrën se si mediat ndërkombëtare minimizojnë dhunën e Izraelit, ndërsa përpjekjet e palestinezëve për vetëmbrojtje i paraqesin për publikun global si akte armiqësore.
Përdorimi i fjalëve “i vrarë” ose “i vdekur”
“Gjuha e përdorur në lajme zbulon më tej këtë njëanshmëri, pasi incidentet që përfshijnë izraelitët përshkruhen si të “vrarë”, ndërsa në rastet e ngjashme me palestinezët ato zbuten me “i vdekur”,” tha ai.
Altun përmendi një shembull konkret ku një media ndërkombëtare e njohur ndryshoi titullin tre herë për t’iu përshtatur interesave të Izraelit.
“Titulli fillimisht ishte “Sulmi izraelit vrau qindra në spital”, por u ndryshua duke hequr fjalën “izraelit” dhe më pas duke e zbutur në “shpërthim”. Versioni përfundimtar ishte, “Të paktën 500 të vrarë në shpërthimin e spitalit në Gaza”, që e paraqiste tragjedinë si një ngjarje spontane, duke fshehur çdo të dhënë për autorin e vërtetë”, tha ai.
Platforma “Gënjeshtrat e Izraelit”
Një nga pikat kryesore të përpjekjeve të Türkiyes është platforma e re “Gënjeshtrat e Izraelit”, e cila ka për qëllim të luftojë dezinformimin që përhap Izraeli dhe mbështetësit e tij.
Iniciativa, e nisur nga Drejtoria për Komunikime e Türkiyes, synon të dokumentojë dhe të zbulojë narrativat e rreme të shpërndara nga mediat izraelite, si dhe të ofrojë fakte të bazuara në gjuhë të ndryshme.
“Platforma jonë është një dëshmi e përkushtimit të Türkiyes për të vërtetën dhe drejtësinë, duke qëndruar fort kundër informacioneve të rrejshme dhe propagandës rreth konfliktit izraelito-palestinez“, tha Altun.
Ai e përshkroi “Gënjeshtrat e Izraelit” si një burim të rëndësishëm ndërkombëtar, që synon të plotësojë një boshllëk të rëndësishëm në hapësirën mediatike globale.