Ndërsa qindra ndërtesa u shkatërruan në vendbanimin Jinderes të Afrinit në veriperëndim të Sirisë, i cili u prek nga tërmetet 7,7 dhe 7,6 ballë, epiqendra e të cilëve ishte në Kahramanmaraş, mijëra njerëz të prekur nga tërmeti filluan të strehohen në tenda të siguruara me mbështetjen e bamirësve.
Në veriperëndim të Sirisë, e cila u godit nga tërmetet, ka pasur shkatërrime të mëdha në zonat nën kontrollin e opozitës.
Qindra shtëpi u dëmtuan nga tërmeti në Jinderes në rrethin e Afrinit dhe shumë ndërtesa u shkatërruan. Më shumë se 500 persona humbën jetën për shkak të tërmeteve në qytet dhe mijëra të prekur nga tërmeti mbetën të pastrehë.
Ndërsa këshilli lokal dhe organizatat lokale të ndihmës ndërtuan strehimore të përkohshme, familjet që nuk gjenin vend për të qëndruar në këto vende filluan të jetonin në tenda. Familjet e pikëlluara që humbën shtëpitë dhe të afërmit e tyre nga tërmeti po mbajnë zi në çadra të improvizuara.
Të mbijetuarit e tërmetit po përballen me temperaturat e ulëta. Në rajonin ku mbizotëron moti i ftohtë, të prekurit e tërmetit presin ndihmë. Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardha) vazhdon aktivitetet e saj të kërkimit dhe heqjes së rrënojave në qytet.
Një shtëpi për disa familje
Nawaf Abidon, një nga të mbijetuarit e tërmetit në Jinderes, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se i mbijetoi tërmetit në momentin e fundit, por e humbi shtëpinë.
"Nuk kemi ku të qëndrojmë, rrugët u bënë shtëpitë tona, shkollat janë mbushur, strehimoret e përkohshme janë mbushur. 4-5 familje qëndrojnë bashkë me ata që kanë shtëpi. Fëmijët janë të sëmurë, nuk e di çfarë të bëjmë tani. Kushtet janë shumë të këqija, nuk gjejmë shtëpi për të qëndruar, kështu që shkojmë nëpër çadra", tha Abidon.
Duke thënë se tenda ku ata qëndruan ishte e papërshtatshme, Abidon tha: "Tendat ku u strehuam nuk janë shumë të mira, nuk janë të përshtatshme për strehim. Të gjitha gjërat tona në shtëpi kanë mbetur nën rrënoja".
Shpresë për rindërtim të shtëpive
Emin Haj Sado, banor i Jinderesit, tha se ka humbur shtëpinë nga tërmeti dhe se ka ngritur çadrën pranë rrënojave. Duke theksuar se qiraja e shtëpive në rajon është rreth 100 dollarë dhe nuk mund ta përballojë këtë pagesë, Sado shpjegoi se ka marrë tendë me mbështetjen e bamirësve.
Ai tha se nuk janë në gjendje të shkojnë askund tjetër. Sado theksoi se shumë familje kanë mbetur të pastrehë dhe se strehimoret e përkohshme dhe çadrat e ngritura për të prekurit nga tërmeti në vend janë mbushur.
"Me mbështetjen e bamirësve, shpresoj që këto vende të rindërtohen dhe rrënojat të largohen sa më shpejt. Ndoshta shtetet do të na mbështesin. Ky tërmet ishte një caktim i Zotit", u shpreh Sado.
Si pasojë e tërmeteve në Siri humbën jetën të paktën 3.688 persona, ndërsa afro 15 mijë të tjerë u lënduan, më shumë se gjysma e tyre në rajonet nën kontrollin e opozitës.