Të paktën 171.843 persona janë zhvendosur në veriperëndim të Sirisë nga tërmetet e javës së kaluar që goditën Türkiyen jugore, thotë organizata “Koordinimi i Reagimit të Sirisë”.
"Ndihma e OKB-së akoma është brenda kufijve minimalë, ku vetëm 114 kamionë kanë arritur në një javë, 93 për qind e të cilëve erdhën përmes vendkalimit Bab al-Hawa, pavarësisht hapjes së dy kalimeve shtesë", tha organizata joqeveritare "Koordinimi i Reagimit të Sirisë".
Organizata shtoi se 24 kamionë të tjerë ndërkombëtarë pritet të hyjnë përmes vendkalimeve Bab al-Hawa dhe Bab al-Salameh.
"Koordinimi i Reagimit të Sirisë" kritikoi "politizimin e madh" të ndihmave humanitare që vijnë, veçanërisht të atyre ndërkombëtare si dhe drejtimin e sasive të mëdha të ndihmave në zonat e kontrolluara nga regjimi të cilat morën "90 për qind të ndihmës për viktimat e tërmetit".
Mijëra njerëz kanë humbur jetën në disa prej qyteteve veriore të Sirisë, pasi më 6 shkurt një tërmet me epiqendër në provincën turke Kahramanmaraş goditi një zonë të madhe me mbi 13 milionë banorë.