Një skandal spiunazhi po dridh Bashkimin Evropian. Komiteti i Parlamentit Evropian prezantoi dje raportin draft mbi dyshimet për keqpërdorimin e një softueri mercenar izraelit Pegasus nga qeveritë e disa vendeve anëtare të BE-së për të spiunuar qytetarët e vet.
“Abuzimi me spyware nuk cenon vetëm të drejtën e privatësisë së individëve. Ajo minon demokracinë dhe institucionet demokratike fshehurazi. Hesht opozitën dhe kritikët, eliminon llogaridhënien dhe ndikon mbi shtypin e lirë dhe shoqërinë civile. Shërben edhe më tej për të manipuluar zgjedhjet”, thuhet në raportin e përgatitur nga komiteti PEGA i Parlamentit Evropian.
Eurodeputetja holandeze dhe raportuese e komitetit PEGA, Sophie in ‘t Veld, gjatë prezantimit të raportit draft tha se të paktën 4 shtete anëtare të BE-së – Greqia, Spanja, Hungaria dhe Polonia – kanë përdorur softuerin Pegasus ose versionin më pak të sofistikuar Predator për të spiunuar qytetarët, kundërshtarët politikë dhe gazetarët në vendet e tyre.
“Manipulimi i zgjedhjeve kombëtare me keqpërdorimin e softuerit, ndikon drejtpërdrejt në përbërjen e institucioneve të BE-së dhe balancit politik në strukturat e BE-së. Katër ose pesë qeveritë, të akuzuara për abuzimin e softuerit, përfaqësojnë gati 1/4 e popullsisë së BE-së, kështu që kanë peshë të konsiderueshme në Këshillin Evropian”, thuhet në raport.
Skandali i spiunazhit mbështet për muri qeverinë e Greqisë
Skandali i spiunazhit po prek Greqinë tashmë disa muaj. Shërbimet e IT-së të Bashkimit Evropian zbuluan se në celularin e liderit të partisë opozitare greke PASOK, Nikos Androulakis, njëkohësisht eurodeputet, është instaluar softueri i spiunazhit Predator.
Edhe politikanë të tjerë, gazetarë dhe biznesmenë kanë denoncuar sulmin e celularëve të tyre me këtë softuer. Gjithashtu, u zbulua se Shërbimi Inteligjent Kombëtar i Greqisë (EYP) ka targetuar me këtë softuer dy të punësuar të saj, sipas akuzave.
Qeveria greke pranoi në gusht se shërbimi sekret ka ndjekur politikanë e gazetarë, por nuk pranoi përdorimin e softuerit. Më 8 gusht, kryeministri Kyriakos Mitsotakis nëpërmjet një video mesazhi tha se përcjellja e liderit të partisë opozitare PASOK ishte “legale, por politikisht e papranueshme”, duke shtuar se nuk ka qenë në dijeni për spiunazhin dhe nuk do ta lejonte po ta dinte. Por, sipas ligjeve në Greqi, shërbimi sekret është nën mbikëqyrjen e kryeministrit.
Skandali detyroi që Sekretari i Përgjithshëm i zyrës së kryeministrit - njëkohësisht nipi i kryeministrit Mitsotakis – dhe shefi i shërbimit sekret të japin dorëheqje.
Përdorimi i softuerit Predator është konfirmuar në Greqi, por qeveria mohon ta ketë përdorur ajo dhe thotë se bëhet fjalë për individë.
“Me zgjedhjet e përgjithshme në perspektivë, në pranverë 2023, situata duhet të sqarohet urgjentisht, për të mos lënë asnjë dyshim mbi integritetin e zgjedhjeve të vitit 2023”, thuhet në raportin e Komitetit PEGA të Parlamentit Evropian.
Spanja ka targetuar katalanasit
“Përdorimi i softuerit Pegasus nga qeveria e Spanjës kundër politikanëve pro pavarësisë së Katalonisë nuk mund të arsyetohet, pasi nuk kishte kërcënim ndaj sigurisë së shtetit”, thuhet në raportin preliminar.
Skandali i njohur si “Catalan Gate” u raportua fillimisht në vitin 2020, por vetëm këtë vit u kompletua një hetim i plotë që zbulon shkallën e skandalit. Rezultatet, siç citohet në raport, tregojnë se të paktën 65 persona janë targetuar nga qeveria spanjolle. Këtu përfshihen deputetë katalanas, eurodeputetë, juristë, organizata të shoqërisë civile dhe familjarë ose bashkëpunëtorë të viktimave.
Në maj të vitit 2020, qeveria spanjolle pranoi targetimin e 18 të këtyre 65 viktimave me autorizim të gjykatës.
Kritika institucioneve të BE-së
Eurodeputetja Sophie in ‘t Veld, gjatë prezantimit të raportit draft të martën, kritikoi institucionet evropiane për lejimin e këtij skandali.
“Industria e softuerëve të spiunazhit është shumë e errët dhe me standarde shumë të ulëta etike. Termi ‘softuer spiunazhi mercenar’ e përshkruan më së miri. Evropa ofron kushte të shkëlqyera për këtë industri, përfshirë edhe imponimin e dobët të ligjit”.
Eurodeputetja holandeze kritikoi Komisionin Evropian për qasjen e “butë” dhe “sipërfaqësore” për zbatimin e ligjit evropian, ndërsa Këshillin Evropian e kritikoi për mbrojtjen e vendeve anëtare të përfshira në këtë skandal.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e çështjes më të rëndësishme, demokracisë dhe lirisë, Evropa është e dobët dhe impotente. BE-ja është akoma demokraci e papjekur”, tha eurodeputetja Sophie in ‘t Veld.
Komiteti PEGA kërkon moratorium të përdorimit dhe shitjes së këtyre softuerëve dhe ligje të reja që do të unifikojnë standardet e ndryshme në vendet anëtare.
Softueri Pegasus prodhohet nga kompania izraelite NSO Group, teknologjitë e së cilës disa herë deri tani kanë qenë në qendër të kritikave për shkeljen e të drejtave të njeriut.