Sllovenia: ShBA-ja po dobëson themelet e ligjit ndërkombëtar penal               Foto: AA

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) dobëson themelet e ligjit ndërkombëtar penal.

Pirc Musar bëri një vlerësim për mediat vendase në lidhje me vendimin e Trumpit kundër zyrtarëve të GjNP-së.

Ajo shprehu shqetësimin për vendimin e sanksioneve. "ShBA-ja po dobëson themelet e ligjit ndërkombëtar penal. Shtrirja dhe arsyetimet e sanksioneve nuk janë gjë tjetër veçse mohimi i historisë dhe injorimi i ligjit", tha Pirc Musar.

"Trump i dërgoi një mesazh të rrezikshëm botës", deklaroi presidentja sllovene e cila shtoi se mesazhi që duhet dhënë duhet të jetë që të mos kryhen krime kundër njerëzimit.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetet sociale bëri deklaratën e mëposhtme:

"Sllovenia e ka pritur me keqardhje të thellë vendimin për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të GjNP-së. Për garantimin e drejtësinë, duhet të sigurohet që institucionet gjyqësore të veprojnë në mënyrë të pavarur. Punonjësit e drejtësisë duhet të mbrohen kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve dhe faktorëve të jashtëm".

- Vendimi i Trumpit për sanksione ndaj GjNP-së

Më 21 nëntor 2024, GjNP-ja lëshoi ​​urdhra arresti për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Për shkak të këtij vendimi, presidenti amerikan Trump dje nënshkroi një dekret presidencial për vendosjen e sanksioneve ndaj GjNP-së.

TRT Balkan / agjencitë