Amerikanët votojnë sot në zgjedhjet e mesmandatit. Demokratët dhe Republikanët garojnë për shumicën në Kongres, ndërsa do të votohet për 435 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 vende në Senat dhe 36 guvernatorë.
Zgjedhjet e këtij viti pritet të jenë me shumë paqartësi, ndërsa anketat parazgjedhore u japin përparësi Republikanëve ndaj Demokratëve. Nëse realizohen parashikimet dhe Republikanët fitojnë shumicën në Kongres, do të vështirësohet qeverisja në pjesën e mbetur të mandatit të presidentit aktual Joe Biden, i cili vjen nga radhët e Demokratëve.
Çfarë janë zgjedhjet e mesmandatit?
Zgjedhjet e mesmandatit në ShBA janë zgjedhjet e përgjithshme të shtëpisë ligjvënëse, që mbahen në të martën e parë pas së hënës së parë të nëntorit, në vitin e dytë të mandatit të Presidentit.
Në këto zgjedhje votohet për të gjithë 435 përfaqësuesit në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, si dhe për 34 ose 35 vende në Senat.
Partia që fiton të paktën 218 mandate në Dhomën e Përfaqësuesve fiton shumicën dhe mund të zgjedhë spikerin. Për të siguruar shumicën në Senat, një parti duhet të fitojë të paktën 51 mandate.
Gjithashtu, 36 shtete të ShBA-së zgjedhin guvernatorët gjatë zgjedhjeve të mesmandatit.
Çfarë pritet në zgjedhjet e nëntorit 2022?
Për dallim nga zgjedhjet presidenciale, ku pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 50-60% në dekadat e fundit, në zgjedhjet për Kongres zakonisht ka dalje shumë më të ulët. Vetëm rreth 40% e shtetasve me të drejtë vote marrin pjesë në këto zgjedhje.
Historikisht, partia që ka presidentin humb mandate në Kongres. Shumë shpesh, partia opozitë fiton kontrollin mbi njërën ose të dy dhomat e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit.
Skenar i ngjashëm parashikohet edhe këtë vit. Anketat tregojnë se përkrahja për presidentin aktual Joe Biden ka rënë në 39%, ndërsa favorizojnë ndjeshëm Republikanët.
Presidenti Biden paralajmëroi se “demokracia është në rrezik” nëse Republikanët fitojnë shumicën, ndërsa kundërkandidati i tij në zgjedhjet e fundit presidenciale Donald Trump tha se vota për demokratët është votë për shkatërrimin e ShBA-së.
Paralajmërimet janë se numërimi i votave këtë vit mund të zgjasë, pasi rezultati në disa shtete vendimtare për përcaktimin e mandateve pritet të jetë tepër i ngushtë.
Në zgjedhjet e fundit në mesin e mandatit të ish-presidentit Donald Trump, Republikanët në pushtet humbën 41 mandate në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa fituan 2 mandate më shumë në Senat.
8 Nën 2022
Sot zgjedhjet e përgjithshme në ShBA, çfarë duhet të dini
Zgjedhjet e këtij viti pritet të jenë me shumë paqartësi, ndërsa anketat parazgjedhore u japin përparësi Republikanëve ndaj Demokratëve.
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
I zgjedhuri i Trumpit për shef të drejtësisë tërhiqet nga nominimi
Gaetz ishte në Kongresin Amerikan të mërkurën për t’u ulur me senatorët që ishin kyç për konfirmimin e tij për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë por pranoi se emërimi i tij është bërë një “shpërqendrim” për ekipin e tranzicionit të Trumpit.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore