Pjesa qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur nga një stuhi dëbore që ka sjellë reshje të mëdha, erë të fortë dhe temperatura të ulëta, ndërsa është vështirësuar edhe qarkullimi rrugor dhe ajror.
Një paralajmërim moti është në fuqi për rreth 60 milionë njerëz në zonën nga Kansas në New Jersey, ose për 30 shtete të prekura nga stuhia e madhe e dimrit.
Për momentin, situata me e rënduar është në Kansas dhe Misuri, ku rrugët janë të mbuluara me borë dhe akull. Në Misuri, dhjetëra motoçiklistë u bllokuan në rrugë, më shumë se 600 shoferë u shpëtuan dhe janë evidentuar pothuajse 300 aksidente trafiku.
Një gjendje e jashtëzakonshme është në fuqi në të paktën shtatë shtete, duke përfshirë Kansasin, Misurin, Virxhinia Perëndimore dhe pjesë të Nju Xhersit.
Reshje të mëdha dëbore mund të bien në një zonë nga Ohio jugor deri në Washington, ndërsa Kentucky dhe Virxhina Perëndimore janë paralajmëruar për rrezikun e shiut të akullt.
Rreth 2.200 fluturime janë anuluar, dhe 25.000 të tjera janë vonuar për shkak të stuhisë. Shumë rrugë janë mbyllur. Shkollat janë mbyllur në zona të Washingtonit, Indianës, Kentuckyt dhe Virxhina Perëndimore.
Autoritetet po paralajmërojnë banorët që të mos largohen nga shtëpitë e tyre nëse nuk është e nevojshme. Disa rrugë janë mbuluar me shtresa të trasha akulli, ndërsa disa zona janë pa energji elektrike për shkak të pemëve të rrëzuara.
Stuhia e quajtur Blair po lëviz drejt lindjes nga pjesa qendrore e ShBA-së.
Ndërkohë, paralajmërimet për tornado janë në fuqi në jug të ShBA-së, veçanërisht në shtetet federale të Arkansas, Luiziana, Mississippi dhe Alabama.
Reshje dëbore parashikohen edhe për Washingtonin, ku sot Kongresi do të konfirmojë formalisht fitoren e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, siguroi se konfirmimi do të mbahet pavarësisht kushteve të motit.
Stuhia e dëborës do të lëvizë nga toka në det të martën në mbrëmje sipas kohës amerikane, por pritet që temperaturat shumë të ulëta të mbeten të paktën deri të martën.