Sulmet e armatosura me përmasa rekorde në shkollat e ShBA-së. / Photo: AA

Të shtënat në shkolla janë një sulm i armatosur, i cili si fenomen është aktual në gjithë botën, e në veçanti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së fundmi, një grua e moshës 28-vjeçare ka vrarë me armë tre fëmijë dhe tre mësues në një shkollë fillore private të krishterë në qytetin Nashville të shtetit amerikan Tennessee, për arsye ende të panjohura për organet policore.

Dhuna me armë në shkollat amerikane

Marrë parasysh fenomenin e sulmeve të armatosura nëpër institucione arsimore, Washington Post ka publikuar disa të dhëna sa i përket 10-vjeçarit të fundit të dhunës me armë në shkollat amerikane.

Nga viti 2013 e deri në vitin 2023 janë paraqitur gjithsej 235 raste të përdorimit të dhunës me armë.

Sipas grafikës statistikore mund të shihet se nga viti në vit kemi rritje graduale në këtë aspekt, me ç’rast, nëse në vitin 2013 kishim 13 raste të sulmeve me armë nëpër shkolla, në vitin që lamë pas, pra viti 2022 regjistroi shifra rekorde prej 46 rasteve të dhunës me armë nëpër shkolla.

Një statistikë tjetër tregon se që nga viti 1999, të paktën 199 fëmijë janë vrarë në shkollat amerikane për shkak të dhunës me armë.

Në vitin 2023, përveç rastit të fundit ka pasur të paktën edhe 33 incidente me armë zjarri në mjediset e shkollës, duke rezultuar në 8 të vdekur dhe 25 të plagosur.

Faktorët dhe motivet

Sipas studimeve, faktorët pas të shtënave në shkollë përfshijnë qasjen e lehtë ndaj armëve të zjarrit, mosfunksionimin e familjes, mungesën e mbikëqyrjes familjare dhe sëmundjet mendore mes shumë çështjeve të tjera psikologjike.

Ndër motivet kryesore të sulmuesve llogariten ngacmimi, persekutimi ose kërcënimi me (75 për qind), hakmarrja (61 për qind), ndërsa 54 për qind kishin arsye të shumta.

Motivet e mbetura përfshinin një përpjekje për të zgjidhur një problem (34 për qind), vetëvrasje ose depresion (27 për qind) dhe kërkimin e vëmendjes ose njohjes (24 për qind).

TRT Balkan