Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, ka pranuar fajësinë për një akuzë të rëndë, duke i dhënë fund një bllokimi prej vitesh me ShBA-në.
I akuzuar për marrjen dhe botimin e dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe diplomatike në vitin 2010, Assange u paraqit në një sallë gjyqi në territorin e ishullit amerikan të Paqësorit Saipan në Ishujt Mariana afër Australisë.
"Washington Post" raportoi se Assange pranoi fajësinë për një akuzë të rëndë për shkeljen e Aktit të Spiunazhit. Derisa hynte në sallën e gjyqit me një kostum të zi, themeluesi i WikiLeaks nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Sipas të përditshmes amerikane, gjyqtari vuri në dyshim arsyetimin e paraqitjes së çështjes në Saipan. Në përgjigje, avokati amerikan Matthew McKenzie shpjegoi se afërsia e ishullit me Australinë, vendin e lindjes së Assange-s, do ta lehtësojë kthimin e tij në shtëpi "menjëherë pas këtij procesi".
"Washington Post" gjithashtu tha se Assange u mbrojt në gjykatë duke e përshkruar veten si një gazetar që ai tha se duhet të mbrohet nga Amendamenti i Parë. Ndërkohë, Assange po mbledh fonde për koston e riatdhesimit të tij në Australi. Është nisur një fushatë për të paguar koston e fluturimeve për në vendin e tij.
"Julian Assange ka nisur fluturimin VJT199 për në Saipan. Nëse gjithçka shkon mirë, do ta sjellë atë në liri në Australi. Por, fluturimi ka një kosto të madhe: Julian do t'i detyrohet 520 mijë dollarë, të cilat ai është i detyruar t'ia kthejë qeverisë australiane për fluturimin çarter në Saipan dhe në vazhdim në Australi", tha fushata.
Deri më tani janë mbledhur 263.395 paundë (334.142 dollarë). Ai pritet të ulet në Canberra më vonë gjatë ditës. Të hënën, Assange u lirua nga burgu i sigurisë maksimale në Belmarsh pas lirimit me kusht nga Gjykata e Lartë në Londër para se të niste një fluturim në aeroportin Stansted në orën 17:00 me kohën lokale.
Avioni me Assangen u ul dje në Aeroportin Ndërkombëtar "Don Mueang" në kryeqytetin tajlandez Bangkok për t'u furnizuar me karburant para se të nisej për në Saipan.
Assange u bë i njohur në vitet 2010 për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara amerikane në internet, me çka fitoi vlerësime ndërkombëtare dhe kritikuese kur ekspozoi korrespondencën e ndjeshme diplomatike amerikane dhe të dhënat ushtarake, përfshirë një video të një sulmi ajror amerikan në vitin 2007 në Bagdad që vrau disa njerëz, përfshirë dy gazetarë të Reuters-it.
Assange ka kundërshtuar me vendosmëri ekstradimin në ShBA dhe ka kaluar shtatë vjet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër në një përpjekje për të parandaluar dorëzimin. Ai u dëbua nga kompleksi diplomatik në vitin 2019 dhe ka kaluar pesë vitet e fundit në një burg britanik derisa luftoi kundër një urdhër ekstradimi në ShBA.