Trump bisedon me kryeministrin kanadez mes tensioneve mbi tarifat / Photo: AA

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka bërë të ditur se presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka rënë dakord të pezullojë për 30 ditë tarifat e planifikuar për importet kanadeze.

"Sapo pata një telefonatë të mirë me presidentin Trump”, shkroi Trudeau në platformën sociale X, duke shtuar se Kanadaja “po zbaton planin tonë kufitar prej 1,3 miliardë dollarësh, duke forcuar kufirin me helikopterë të rinj, teknologji dhe personel, koordinim të zgjeruar me partnerët tanë amerikanë dhe burime të shtuara për ta ndaluar rrjedhën e fentanilit”.

Trudeau tha se, në kuadër të angazhimeve të Kanadasë, një personel prej “rreth 10 mijë personash të vijës së parë janë dhe do të punojnë për ta mbrojtur" kufirin ShBA-Kanada.

"Përveç kësaj, Kanadaja po merr angazhime të reja për të emëruar një ‘Czar Fentanyl’, ne do t'i listojmë kartelet si terroristë, do të sigurojmë vëzhgimin 24/7 në kufi, do të nisim një Forcë Sulmuese të Përbashkët Kanada-ShBA për ta luftuar krimin e organizuar, fentanilin dhe pastrimin e parave", tha ai.

Më tej, kryeministri kanadez njoftoi nënshkrimin e një “direktive të re të inteligjencës për krimin e organizuar dhe fentanilin dhe ne do ta mbështesim atë me 200 milionë dollarë”.

“Tarifat e propozuara do të ndërpriten për të paktën 30 ditë derisa të punojmë së bashku”, shtoi ai.

Duke përmbushur një premtim të fushatës zgjedhore, Trump të shtunën nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e një tarife prej 25 për qind për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe një tarifë prej 10 për qind për importet nga Kina.

Kanadaja në një përgjigje të shpejtë njoftoi një tarifë prej 25 për qind për importet amerikane.

Ndërkohë, presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, më herët njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Trumpin për t'i ndalur tarifat e planifikuara prej 25 për qind për një muaj.

TRT Balkan / agjencitë